Në vend qarkullojnë viroza të shumta
Mjekët nëpër qendra shëndetësore të cilët vizitojnë pacientët, thonë se trendi është në rritje dhe se fillimi i vitit të ri mund të çojë në një situatë më të rënduar epidemiologjike.
“Ka një fluks të shtuar këto ditë dhe vihet re kombinim i virozave të shumta, por edhe gripi stinor edhe pse ne nuk arrijmë të dallojmë”, tha Bruna Shiroka, doktoreshë e qendrës shëndetësore numër 3.
Por si në rastet e virozave ashtu edhe të gripit stinor mjekët thonë se vihet re gjendje e rënduar madje shpesh edhe me komplikacione që kërkojnë trajtim mjekësor të zgjatur në kohë. “Kemi shumë raste me temperaturë rezistente që shkojnë edhe 39-40 gradë dhe mezi menaxhohet”, tregon Shiroka.
Më të prekur nga virozat dhe gripi janë fëmijët e vegjël dhe mosha aktive, e cila nuk është e vaksinuara. Për të përballuar këtë sezon dimri, mjekët u bëjnë thirrje qytetarëve të vaksinohen, për ta kaluar sa më lehtë sëmundjen që shkakton virusi i gripit.