Të rinjtë po i “lë” zemra! Jeta sedentare dhe abuzimi me drogën shtojnë infarktet
Infarktet e zemrës po ndodhin edhe tek të rinjtë. Thuajse çdo ditë paraqiten në këtë shërbim të rinj, 26, 30 apo 35-vjeçarë me goditje në zemër. Abuzimi me drogat dhe jeta sedentare janë shkaktarët kryesorë që rrezikojnë zemrën dhe jetën e të rinjve. “Çdo ditë ka raste nën 40 vjeç. Kjo vjen për shkak të abuzimit me drogën, jetën sedentare dhe stresit të shtuar”, thotë kardiologu Taulant Gishto.
Problemet kardiovaskulare zënë vendin e parë për sëmundshmërinë dhe vdekshmërinë edhe në vendin tonë. Kardiologu Taulant Gishto na tregon se ndryshe nga shërbimet e tjera, urgjencat dhe fluksi i punës në kardiologji janë njësoj gjatë gjithë vitit, nënvizon A2.
Pse zemra po preket më shumë se organet e tjera? “Mungon aktiviteti fizik, ndotja ambientale në të gjithë botën ka ndikuar në aktivizimin e sëmundjeve kardiovaskulare. Dikur, ne thoshim mosha, diabeti, duhani, ishin faktorët kryesorë për aktivizimin e sëmundjeve kardiovaskulare, por sot bota po fokusohet edhe të faktorët jokonvencionalë siç është ndotja ambientale apo obeziteti”, thotë kardiologu.
Në këtë verë të nxehtë karakteristike e urgjencave kardiovaskulare kanë qenë aritmitë dhe goditjet nga dielli. Mjekët këshillojnë qytetarët, veçanërisht të sëmurët kardiakë, të shmangin daljet në orët e pikut dhe të bëjnë kujdes më trajtimin me medikamente. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 53% e vdekshmërisë botërore kanë shkak probleme të zemrës.