“2 pikëshi i jurisë shqiptare”/Rita Petro: Nuk u bë llogari, votimi ishte i pastër
Festivali i 58-të i këngës në RTSH do të shoqërohej me polemika të shumta sa i takon përzgjedhjes së këngës fituese; froni diskutohej mes konkurrentes Arilena Ara dhe Elvana Gjatës. Nisur nga votimi i jurisë, e cila përbëhej nga anëtarë të huaj dhe vendas, fitoren e siguroi kënga “Shaj” e Arilenës. Fill pas rezultatit në fjalë, mbylljes së festivalit dhe bërjes publike të votave nga juria, reagime të shumta erdhën veçanërisht sa i takon vlerësimit të Elvana Gjatës nga anëtarja Mikaela Minga me vetëm 2 pikë.
Fakti që Gjata u vlerësua maksimalisht nga anëtarët e huaj, nxiti në rrjetet sociale krijimin e një teorie konspirative se votimi nga ana e anëtarëve shqiptarë ishte i qëllimtë për të favorizuar vetë Arilenën. E ftuar mëngjesin e sotëm në “Wake Up”, shkrimtarja Rita Petro, anëtare e jurisë në festivalin e RTSH-së u shpreh se votimi ishte teknikisht i pastër dhe shumë i sinqertë. “Fillimisht kur na thirrën do bëheni pjesë e festivalit, nga drejtori i RTSH-së thashë pse jo, u ndjeva shumë e vlerësuar”, tregoi Petro duke shtuar se në asnjë moment anëtarët nuk komunikuan me njëri-tjetrin gjatë dhe pas festivalit.
“Gjithë kohës që kemi qenë në koncert, bisedat ishin te kënaqësia e spektaktlit, duke dëgjuar këngët harroja që isha pjesë e jurisë, edhe anëtarët e tjerë merrnin kënaqësinë e këngëve. Nuk është diskutuar se cilat janë preferencat e secilit prej nesh, këtë e them me kompetencë. Nuk u bë llogari. Emri i Elvanës as nuk është zënë ndonjëherë as nga anëtarët e jurisë; edhe kur na mblodhën në dhomë (për të votuar) nuk është zënë në gojë as emri i Elvanës as i asnjërit këngëtar”, rrëfeu Petro.
Më tej Petro theksoi rëndësinë e një reagimi institucional. “Nuk ishim ne që ju thamë na merrni në juri, na thirrën e pranuam u ndjemë të nderuar, duhet një reagim publik institucional, i organizatorëve, çdo gjë është bërë në rregull. Na vjen keq që na ndanë juria shqiptare e huaj, të bësh ndarjen juria shqiptare nuk janë të zotët, të korruptuar e kam ndjerë veten të fyer. Deri për Eurovizion ka kohë që të analizohen faktet, të hetohet, të ngrihet një juri tjetër”. /Top Channel/