2017, viti i shtatzënive, ja si duken mamatë VIP. Bukuroshet seksi nën nurin e “pritjes së ëmbël”
Ky vit ka qenë i mbushur plot surpriza për VIP-at tanë. Shumë evenimente të rëndësishme janë bërë dhe sidomos shumë celebrime. Por nuk janë mjaftuar vetëm me këto, bukuroshet VIP, këtë vit kanë qenë të shumta ato që kanë sjellë për ndjekësit e tyre lajmin e lumtur të pritjes së një fëmije, për t’u bërë nënë për herë të parë apo edhe të dytë. Një lajm i tillë ka bërë që portalet t’i sjellin në qendër të vëmendjes, dhe pse jo, t’i “ndjekin” edhe gjatë shtatzënisë së tyre. Dhe nuk janë pak mamatë VIP për këtë vit. Le të shohim sa prej tyre kanë ndryshuar me kalimin e kohës që kur kanë mësuar se do të bëhen nëna.
Floriana Garo
Bukuroshja e “Jo vetëm modë”, pas fejesës me avokatin zviceran, vendosi t’i largohej ekranit dhe jo shumë më vonë ishte ajo vetë që lajmëroi fansat e saj për faktin se priste një fëmijë. Ajo ka qenë gjithmonë e rezervuar lidhur me jetën e saj private dhe nuk ka dhënë shumë detaje lidhur me bashkëjetesën e saj me Enisin në Zvicër, apo edhe lidhur me vendimin e saj për t’u larguar përfundimisht nga televizioni. Por ajo nuk është shkëputur përfundimisht me ndjekësit e saj, ajo poston herë pas here në faqen e saj në “Instagram” foto nga momente të saj të veçanta të kaluara në Zvicër. Ende është herët për të thënë se ka një ndryshim në pamjen e saj, sepse është vetëm fillimi dhe ende s’mund të themi as se çfarë gjinie është bebja. Por, gjithsesi mund të themi se si më parë edhe tani Floriana mbetet e bukur dhe plot nur.
Ami Mamaqi
Ajo është në pritje të fëmijës së dytë tanimë. Si Floriana, edhe Ami së bashku me Ermalin vendosi ta jepte lajmin e mirë nëpërmjet një postimi në faqen e saj të “Instagramit”. Dhe për t’i bërë akoma më të besueshëm në atë që thoshin, çifti Mamaqi vendosi të nxirrnin edhe testin e shtatzënisë në foto. Bukuroshja Ami, pavarësisht dhënies së këtij lajmi kaq të bukur, nuk ka hezituar edhe të zbulojë gjininë e bebes që pret. Joeli i vogël, do të bëhet së shpejti me një motër. Pavarësisht të gjithave, Ami nuk harron të postojë në “Instagram” çaste nga puna e saj dhe udhëtimet e punës së bashku me Ermalin. Mesa duket, ajo ka zgjedhur të mos rrijë duarkryq e të shijojë shtatzëninë në shtëpi, por ta kalojë atë duke u marrë me atë që parapëlqen më tepër. Nuk janë të shumta fotot që ajo poston, por në foton e fundit ajo duket shumë tërheqëse, një mama vërtet sharmante.
Zaimina Vasjari
Këngëtarja superseksi, Zaimina, para pak kohësh zbuloi se ishte shtatzënë, por ndryshe nga VIP-at e tjerë, nuk preferoi ta pranonte lajmin e përhapur nëpër portale. Më vonë, si fare pa dashje, u mësua se Zaimina ishte në muajin e gjashtë të shtatzënisë. Të ftuara në “Pop Culture” të TCH, Jonida Aliçkolli dhe Elona Duro, dy moderatorët e njohura të Top Albanias, kanë zbuluar pa dashje se Zaimina është në muajin e gjashtë të shtatzënisë. Elona Duro, gjatë rrëfimit për shtatzëninë e saj, për një moment zbuloi: Edhe Zaimina është në muajin e 6-të apo jo?, – pyeti ajo si me dyshim, por u kuptua. Edhe pak muaj dhe Zaimina do të gëzojë statusin e nënës për herë të parë, ashtu si edhe moderatorja Duro. Pas zbulimit të një lajmi të tillë, ajo nuk hezitoi të postonte në faqen e saj në “Instagram” foto ku shfaqej me fustanet e saj të dyqanit dhe ku dukej një mami vërtet seksi në muajin e gjashtë të shtatzënisë. Ndërkohë që në një foto tjetër ajo shfaqet e veshur me taka në një vizitë te gjinekologu që do ta ndjekë gjatë shtatzënisë. Një veshje paksa e “guximshme” kjo për Zain, e cila, pavarësisht pritjes së ëmbël, nuk heq dorë nga stili i saj i të veshurit. Ndërkohë një tjetër postim bëri përshtypje për ndjekësit e saj. Në një video ajo shfaqet e veshur sport, me barkun jashtë duke kërcyer. Në mbishkrim, Zai ka thënë se kjo është mënyra se si do të mësojë fëmijën e saj të kërcejë. Një mami vërtet e veçantë Zai, ka zgjedhur të ketë një shtatzëni aktive dhe sipas stilit të saj.
Edita Sahiti
Lajmin e bukur që gruaja e Valdrin Sahitit, stilistit më të famshëm kosovar, ishte shtatzënë, e dha vetë ai. Pas martesës madhështore me bukuroshen, Vali nuk duroi dot pa zbuluar edhe surprizën e të bërit së shpejti baba. Një muaj më parë, stilisti Valdrin Sahiti kurorëzoi dashurinë e tij me Editën në një ceremoni intime madhështore në Las Vegas. Pak ditë pas dasmës filluan të qarkullojnë fjalë se Edita ishte shtatzënë. Pikërisht këtë konfirmoi me gojën e tij Valdrini. Pyetjes së drejtpërdrejtë ai iu përgjigj me një përgjigje të drejtpërdrejtë. Nuk ka kuptim ta fshehim,- tha ai. Herët a vonë merret vesh. Edita është vetëm një muajsh shtatzënë dhe me pak llogari, ne për të ekziston mundësia që gjithçka të ketë ndodhur natën e parë të martesës. Nëna e Valdrinit është shumë e lumtur për foshnjën që do të vijë në jetë dhe po u qëndron pranë me këshillat që vetëm ajo mund t’u japë.
Lolita Begolli
Një tjetër nuse fatlume, e cila është në një pritje të ëmbël është edhe nusja e këngëtarit të njohur të NRG band, Besnik Qaka. Ai pasi kurorëzoi martesën me bukuroshen Lolita këtë muaj, në një postim në llogarinë e tij i ka kushtuar fjalë zemre bashkëshortes, me të cilën kurorëzoi dashurinë. Sipas burimeve të afërta të çiftit mësohet se ata po presin fëmijën e tyre të parë. Dyshja në fotografinë e fundit që shpërndanë pas dasmës, duken më të lumtur se kurrë së bashku në natyrë.
Qëndresa Gashi
Një tjetër bukuroshe është në pritje të fëmijës së saj të parë. Po flasim pikërisht për gruan e prezantuesit Kosovar Labinot Gashi. Edhe ata, si shumë çifte të tjera VIP, kurorëzuan dashurinë e tyre këtë muaj të vjeshtës. Ndërkohë që ditë më parë, Qëndresa, ashtu siç e do tradita ka organizuar festën e saj të beqarisë. Qëndresa kishte publikuar imazhe të shumta ku duket se kishte shijuar shumë festat e saj. Mirëpo, në njërin nga imazhet që ka publikuar nga ‘nata e beqarisë’, bie në sy barku i saj më i fryrë. Kjo gjë ka bërë që fansat të dyshojnë për një shtatzëni të mundshme. Dhe më vonë, pas dasmës u konfirmua një lajm i tillë. Edhe Labi së shpejti do të bëhet baba. Një tjetër VIP në pritje të fëmijës së parë!/gsh