2018, viti i madh për kryeministren e Zelandës së Re

Nëse 2017 ishte një vit plot arritje për Jacinda Ardern, 2018 do të jetë një vit akoma më i madh për të. 37-vjeçarja, e cila shërben si kryeministre e Zelandës së Re që prej tetorit, deklaroi se ajo dhe partneri i saj Clarke Gayford janë në pritje të fëmijës së tyre të parë. Lajmin, kryeministrja neozelandeze e konfirmoi përmes postimeve në rrjetet e saj sociale, ku ajo shprehu entuziazmin për zgjerimin e familjes së saj me një anëtar të ri. Ardern rrëfeu se kishte zbuluar shtatzëninë e saj vetëm 6 ditë para se të mësonte që do të bëhej kryeministre e Zelandës së Re. 37-vjeçarja deklaroi se do të marrë një leje 6-javore pas lindjes së fëmijës në muajin qershor. Lidhur me këtë çështje, Ardern u shpreh se sjellja në jetë e një fëmije nuk do ta largojë aspak nga detyrimet e saj si udhëheqëse e vendit. “Nuk jam e para grua me shumë detyra. Nuk jam e para grua që punoj dhe që kam një fëmijë”, u shpreh kryeministrja. Dhe duke qenë se ajo do të jetë e ngarkuar duke drejtuar Zelandën e Re, do të jetë partneri i saj Clarke Gayford ai që do të qëndrojë në shtëpi për t’u përkujdesur për të porsalindurin. 37-vjeçarja Jacinda Ardern do të bëhet kështu liderja e dytë botërore e cila bëhet nënë gjatë mandatit të saj në krye të vendit. Në vitin 1990, Benazir Bhutto solli në jetë vajzën e saj, ndërkohë që shërbente si kryeministre e Pakistanit.

SHKARKO APP