30 vite Elita 5, fansat “pushtojnë” Amfiteatrin, grupi feston në Tiranë
Çfarë mund ta bëjë vallë një këngë që t’i rezistoj kohës pa cunguar aspak dëshirën për t’u dëgjuar nga publiku? Përkundrazi këngët e Elita 5 sot dëgjohen edhe më shumë. Prova më e mirë ishte koncerti i tyre i së premtes mbrëma që u hap me këngën “Mohikani i Fundit” e që bëri bashkë fansa të të gjitha grupmoshave, të cilët kishin etje për këngët e grupit legjendar, për t’i kënduar dhe kërcyer.
Amfiteatri i Liqenit “u pushtua” mbrëmë si asnjëherë më parë nga shqiptarë të të gjitha trevave të cilët iu bashkuan një eventi muzikor të papërsëritshëm që shënoi 30-vjetorin e krijimit të Elita 5. Një festë e madhe me qindra njerëz qe e bënë Amfiteatrin dhe hapësirën rreth tij të duket e vogël, të gjithë donin të shijonin spektaklin.
Tirana, të cilën grupi e konsideroi si kryeqendrën e Shqiptarisë dhe e përzgjodhi për të dhënë koncertin e parë për të festuar 3 dekada histori rroku, baladash legjendare nuk i zhgënjeu. Teksa lideri i grupit Arif Ziberi, falënderoi publikun që iu bashkua koncertit dhe që zbukuroi mbrëmjen ai u shpreh se “në karrierën time në vend më të bukur nuk kam bërë muzikë”.
Në vijim grupi shijoi mbrëmjen duke dhënë performanca magjike, pjesë e të cilave u bë edhe publiku, duke kënduar bashkë me ta. Kulmin e mbrëmjes e shënoi ajo këngë që Elita5 e ka konsideruar si pasaportën e tyre dhe që mund të thuhet pa mëdyshje se është një nga pjesët më të dashura për publikun shqiptar sot e 25 vite të realizimit të saj.
Këngë të tjera, si “Çmendem”, “Faleminderit”, “Më fal” etj., shkrinë si me magji barrierat e kohës. Një koncert madhështor ai i së premtes mbrëma, ku Elita 5, vuri në dukje etjen e shqiptarëve për evente të tilla, art të përzgjedhur dhe organizim të mirë.
KOHA JONË SONDAZH

