A është penduar që e la në mes rrugëtimin në BB VIP? Olta flet pa doreza
Aktorja e njohur, Olta Gixhari, ka qenë mëngjesin e sotëm e ftuar në emisionin “Wake Up”, ku ka folur pa doreza lidhur me eksperiencën e saj në këtë spektakël.
Ish-banorja u shpreh se nuk është penduar që e la në mes rrugëtimin e saj në “Big Brother VIP”. Sipas saj, ajo nuk e la në mes pasi e kishte bërë 100 ditëshin që ishte në kontratë.
Pjesë nga intervista:
Si fillim, si është tani jeta pas “Big Brother VIP”?
Jeta pas “Big Brother” është e vështirë. Të dal në rrugë tani është një çmenduri. E kam përjetuar në 2008 këtë lloj fame kur luaja në teatër dhe njerëzit prisnin në radhë të bënin një foto me mua. Unë atëherë e kam përjetuar famën pa rrjete sociale. Ka qenë shumë e bukur dhe me presion. E njëjta gjë është dhe sot. Kam tentuar të shkoj disa herë në lokale dhe kanë ardhur shumë njerëz. Por e rëndësishme është që më thonë Olta Gixhari, jo Olta e “BBV”.
Në rrjet ka pasur shumë gjuhë urrejtje kundër Oltës, si e ka parë ajo këtë?
Më duket e pabesueshme që njerëzit të flasin me këtë lloj gjuhe për këtë reality show. Unë nuk e kam ndjerë shumë sepse kam qenë brenda, por kur dola jashtë e pashë që ishin përballur familja ime dhe partneri im me këtë. Të marrësh një feedback të tillë është e rëndë. Por falë Zotit dola në një periudhë që filluan të më donin.
Si i shpjegon ajo këto lloj komentesh kaq negative nga një pjesë e madhe e njerëzve?
Unë kam bërë një analizë, ne si popull e kemi të vështirë të pranojmë dikë që mund të shfaqi një fuqi më të madhe sa ata duan. Unë nuk kisha nevojë për famën e “Big Brother”. Unë kështu kam qenë dhe papritmas hyj aty, ku ekspozimi është i madh, zhvishem nga çdo aureolë VIP-i. Dhe njerëzit thonë pse ka hyrë këtu, me siguri ka blerë çmimin. Dhe fillojnë të të urrejnë.
A je penduar që e le në mes rrugëtimin tënd?
Nuk jam penduar. Nuk e kam lënë në mes, e kam çuar deri në fund. Kam bërë 100 ditë. Unë aq e kisha dhe në kontratë. Muaji i fundit ishte i paparashikuar. Unë ditët e fundit kam qenë duke marrë vendimin. 10 ditëshi i fundit ishte dyluftimi mes Oltës nënë dhe Oltës lojtare. Po më digjej shpirti të shkoja te djali dhe tek Dori. Pastaj doja që ta shtyja deri në fund e të luftoja. Ka qenë një nga vendimet më të vështira të jetës sime.