Aksidentoi gruan dhe u largua nga vendngjarja, policia shoqëron Ilda Bejlerin
Policia e Tiranës ka shoqëruar moderatoren e njohur të sportit, Ilda Bejleri, e cila u përfshi dje në një aksident. Ngjarja ndodhi pranë drejtorisë së Policisë së Tiranës, rreth orës 12:50 në bulevardin “Gjergj Fishta”.
Gazetarja Dorjana Bezat raporton për ‘BalkanWeb’ se pasi u mor në pyetje gjatë natës në komisariat, Ilda Bejleri u la e lirë. Mësohet se bukuroshja e ekranit do të hetohet për rastin në fjalë nga prokuroria. Sipas policisë, Bejleri duke drejtuar mjetin tip “BMW” me targë AA 998 NY, ka aksidentuar duke u larguar nga vendi i ngjarjes, shtetasen Eriketa Gjuzi, 63 vjeçe, banuese në Durrës. Kjo e fundit aktualisht ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Lajmi që Ilda Bejleri u përfshi në një aksident qarkulloi dje në portale, ndërsa moderatorja mohoi kategorikisht që të ishte përfshirë në një ngjarje të tillë. Madje Bejleri nuk nguroi që të sulmonte mediat, ndërsa pak orë më vonë policia doli me një deklaratë ku thuhej se po punohej për identifikimin e autorit. Ndërkohë, pas hetimeve të kryera dhe këqyrjes së kamerave të sigurisë, u bë e mundur identifikimi i drejtuesit të mjetit, që në këtë rast ishte bukuroshja e ekranit, Ilda Bejleri.