Aktori i ‘Portokallisë’ i zhgënjyer nga programi më i ri në “Top Channel”
Aktori Florjan Binaj është shprehur i zhgënjyer për programin më të ri që ka nisur nga dje, në televizionin ku aktori punon, “Top Channel”.
Aktori i “Portokallisë” shprehet në një postim të fundit, se televizioni duhet të edukojë njerëzit dhe të promovojë vlerat, veçanërisht te të rinjtë, por me sa duket, këtë nuk e pa në programin e “Top”-it.
“Televizioni duhet të edukojë njerëzit, shikuesit, ndjekësit, sidomos rininë e cila do pika orientimi dhe frymëzimi. Sot u zhgënjeva jashtë mase nga një program që po jepet në televizionin ku punoj. Dëshpërim që sot në televizion promovohen antivlerat dhe jo vlerat. Kjo do i hapë rrugën një udhe pa krye”, shkruan aktori.
Flori nuk ka përmendur asnjë emër, por duke qenë se flet për rininë është e sigurt që ai i referohet programit më të ri të titulluar “Aventurierët”.
Në të marrin pjesë 8 të rinj, mes të cilëve edhe banorja e “Big Brother” Donjeta Sejdiu, të cilët bëhen pjesë e sfidave të ndryshme.
Mjafton të shihni videot e puntatës së parë të publikuar në YouTube, për të arritur në përfundimin se gjuha e përdorur ngre shumë pikëpyetje.