Alida Hisku: Dikur zë, sot buzë dhe dekolte
Është rikthyer Alida Hisku. “Anës e pas anës ooo, lumit të fshatit tim…”, e ka kënduar pikërisht ajo. Këtë e ca të tjera, shumë të dashura për ne. Alida jeton në Gjermani, por erdhi në Tiranë me rastin e eventit “Ladies Pop and Rock Concert”.
Ishte e ftuar te “Kush vjen për drekë” bashkë me miken dhe kolegen e saj Lindita Kondakçiun. Në bisedë e sipër, Alida, që njihet si natyrë që s`para ta përton përgjigjen, tha: “Ne jemi këngëtare të popullit, jo artiste të biznesit”.
Sot ka këmbë të gjata, buzë të trasha dhe dekolte, po dikur s`ka pasur nga këto gjëra. Dikur kishte vetëm zë dhe maksimumi ndonjë fustan i bukur, poshtë gjurit, që po ta kishe, ishe e para e vendit.
Nga ana tjetër, po të pyesim këngëtaret e kësaj kohe do t`u dukej e vështirë jetesa në ato vite.
Të ndaje një fustan me gjithë lagjen e të këndoje një herë në vit, në festival… Madje edhe një herë në vit, nëse të lejohej, se Alida i vuajti pasojat e sistemit. E hoqën nga skena për shkak të politikave të asaj kohe. Megjithatë, sërish e do kohën e saj, pavarësisht vështirësive.
Ama për këngëtaret sot, që këndojnë çdo fundjavë e çdo natë në lokale, e që e kanë shndërruar në biznes, do ishte e vështirë të prisnin fundvitin për të kënduar./Tirana Post/