Anxhela Peristeri reagon ndaj komenteve negative: Ku është e keqja të jesh si Beyonce dhe Jennifer Lopez
Këngëtarja, Anxhela Peristeri, e cila përfaqësoi Shqipërinë në Eurosong, me këngën Karma ka tërhequr vëmendjen e publikut shqiptar dhe evropian, jo vetëm për vokalin impresionues por edhe për veshjet.
Anxhela Peristeri, iu përgjigj, në emisionin Tempora, kritikave që ka marrë nga personazhet shqiptarë, për sa i përket fustanit që ajo veshi në skenën e festivalit.
Anxhela thekson se veshja ishte e punuar me motive ilire në pjesën e sipërme dhe se ishte një nga veshjet më të bukura të Eurovision-it.
“Një këngë e cila është dramatike jo detyrimisht duhet të dalësh me të zezë për të shkuar në varrim. Unë isha një femër e fortë, e bukur, shumë e përkëdhelur nga jeta që pësoi një disfatë. Kjo nuk do të thotë që unë do ta shuaj shpresën për veten time dhe të vishem me të zeza dhe të filloj të qaj. Veshja kishte motive ilire, te vendosura në qafë. Është e punuar në dorë në mënyrë perfekte. Është konsideruar si një nga veshjet më të bukura të Eurovision-it. Është një veshje që nuk është aspak vulgare, jashtë janë vetëm këmbët dhe gjithë pjesa tjetër është e mbuluar. Është një veshje seksi, por jo vulgare.”
Kritikave se ajo ka veshur të njëjtin fustan me konkurrentet tjera të festivalit ajo përgjigjet se këngëtarët do ta ndjekin tendencën e kohës, dhe se është personaliteti ai që bën diferencën në veshje.
“Sigurisht që këngëtarët do të ndjekin tendencën e kohës. Sigurisht unë me gocat nuk njiheshim dhe nuk kemi folur në telefon me njëra tjetrën, për të thënë çfarë ngjyre do veshësh ti që mos ta vesh unë, apo stilin. Veshjen secili personazh dhe secili artist e mbron në mënyrën e vetë, sepse mund të dali dikush që vesh të njëjtën veshje me mua dhe nuk e mbron me personalitet.”
Anxhela shton duke thënë se nuk ka asgjë të keqe të jesh si Beyonce apo JLo.
“Ku është e keqja të jesh si Beyonce dhe si Jennifer Lopez. Disa njerëz dalin dhe japin opinione për veshjen time, që nuk kanë pse ta japin fare. Kur nuk gjen një gjë, do të gjesh një gjë tjetër se s’bën që të kapen. Dhe këtë herë u kapën te veshja. Veshja nga të huajt është komentuar si një nga veshjet më të bukura të Eurovision-it. Mua më vjen shumë mirë për këtë, jam shumë e lumtur që e kam veshur dhe do ta vishja përsëri.”