Artistët në vështirësi ekonomike/Deda dhe Sejko: Të hapen sa më parë lokalet e natës

Pandemia e Covid-19, goditi thellë ekonominë e familjeve shqiptare. Kategoria e artistëve shqiptarë nuk përfituan pagën e luftës. Këngëtari Elton Deda dhe instrumentisti i njohur Bledar Sejko, të ftuar në ”News24”, treguan eksperiencat e tyre në këtë kohë karantine.

Artistët për ta po përjetojnë momente të vështira ekonomike, për shkak të mbylljes së punës në lokalet e natës ku ata performojnë, apo dhe angazhimet e tjera muzikore. Ai sugjeroi hapjen sa më parë të lokaleve të natës, që kanë hapësira të mëdha, në mënyrë të tillë që t’i jepet një ndihmë financiare edhe artistëve. Sipas Sejkos, artistët, përveç vështirësisë ekonomike, do të përballen edhe me depresion.

“Jemi në vështirësi të madhe. Kjo krizë, përveç çështjeve financiare, ekonomike, kam frikë se do kaloj dhe më tej, tek depresioni. Artisti, ka publikun si ushqim shpirti. Kjo është ”vrasje e shpirtit” të artistëve. Unë uroj dhe shpresoj që ka shumë lokale dhe clube që kanë hapësira të mëdha. Dhe mendoj që këto lokale të rifusin muzikën live, që të rinisin jetën dhe artistët”,-tha Sejko.

Elton Deda pohoi se kriza financiare nuk do të ishte ndjerë shumë nga artistët, nëse atyre do iu ishte njohur e drejta e autorit, pasi do të kishin siguruar disa të ardhura. ”Unë fatmirësisht e kam një punë tjetër. Po ka artist që nuk e kanë. Nëse do ishin respektuar së pari të drejtat e autorit, ata s’do ishin në këtë gjendje. Ata do kishin pasur rezerva për të kaluar këto kohë. Në këtë drejtim ata nuk shpërblejnë, shumicës së artistëve iu vidhet e drejta. Nuk jemi në pikën zero. Por nuk jemi as tek pika 10. Është bërë shumë pak në këtë aspekt. Për vite me radhe ne nuk jemi mbështetur. Ne kemi problemet tona, nuk jemi engjëj”.

SHKARKO APP