Babai i Ergi Dinit mes lotësh: Ç’më tha djali 3 javë para se të vdiste
Dy muaj pas vdekjes tragjike të Ergi Dinit, këngëtarit 22-vjeçar nga Shkodra që humbi jetën më 21 nëntor të 2016-ës së bashku me shokun e tij Kejdi Halilin, familja Dini ka vendosur ta kthejë dhimbjen në forcë. Në një rrëfim për të parën herë në studion e “Pasdite në Top Channel, Dashamir Dini, babai i Ergit, ka bërë publike kauzën e tij dhe të familjes. Nën moton “Ergi Dini kundër aksidenteve”, kjo kauzë, e para e llojit të saj në Shqipëri, synon të ndërgjegjësojë dhe sensibilizojë çdo përdorues makine apo motori që të jetë i kujdesshëm.
“Nuk dua që ikja e djalit tim të shkojë kot. Dua ta kthej në kauzë. Marrim informacione nga kronikat e zeza për njerëz që humbin jetën në aksidente rrugore. Vdekja ec vetëm shpejt. Nëse ti ecën shpejt, e ke kapur vdekjen. Njeriu është i rrezikuar kur nuk vë kaskën, rripin e sigurimit, kur flet në celular. Më vjen keq që s’pata mundësi ta ndihmoj djalin tim në atë moment. Këtë dhimbje do t’ua përcjell ju të tjerëve, me anë të një mesazhi: Ruajeni dhe duajeni jetën”, ka apeluar Dashamir Dini.
Kauzës së tij dhe të emisionit “Pasdite në Top Channel” i është bashkuar edhe Ministria e Punëve të Brendshme. Ministri Saimir Tahiri e cilësoi nevojën për fushata të tilla si një revolucion mendor dhe theksoi se policia s’duhet të jetë e vetme në këtë betejë.
“Nëse vënia e kaskës do të ishte respektuar në këtë rast, më vjen keq ta them por tani nuk do të ishim duke e bërë këtë bisedë. Historitë personale, si kjo e babait të Ergit, vlejnë më shumë se çdo fjalim imi, çdo iniciativë e ministrisë. Bashke me Dashamirin do të bindim çdo prind apo familje që dhimbjen e tyre ta bashkojmë për të njëjtën betejë, të cilën mund ta fitojmë kollaj. Të ndihmojmë që brezat e ardhshëm të jenë më të sigurt”, tha ministri Tahiri.
Edhe babai i Ergit u ndal tek mosvënia e kaskës nga ana e të birit. “Fakti që s’kanë mbajtur kaskë më dhemb akoma”, tha ai. Me një mesazh të fortë dhe thirrje që të gjithë prindërit me drama të ngjashme t’i bëhen krah në këtë kauzë, Dashamir Dini deklaroi: “Nëse arrijmë të shpëtojmë jetë me këtë kauzë, më duket sikur do ta ringjall tim bir”. “Ergi i urrente motorët. Tre javë para se të ndodhte ngjarja më pati thënë që të kishte mundësi fuste në burg çdo përdorues motori. Nuk janë të vërteta as fjalët që u thanë për Kejdin, për shpejtësinë e gjëra të tilla. Askush nuk do të vdesë. Unë për ngjarjen s’kam shpjegim tjetër veçse fetar, që aty e kishte të shkruar”, rrëfeu mes lotëve babai i Ergit./tch