Bebe Rexha në Shqipëri/Nga ndihma, deri te krenaria e një ylli botëror për vendin amtar
Tërmeti tragjik i 26 nëntorit, tronditi thellë Shqipërinë. Teksa mbi 51 do të ishte numri i të vdekurve, qindra të tjerë mbetën të lënduar dhe dëmet materiale ishin të shumta. Kudo që ka shqiptarë, në çdo shtet të botës, po ndihmon për të prekurit e kësaj tragjedie.
Bleta “Bebe” Rexha, artistja me famë botërore e cila ka krenuar shqiptarët anë e mbanë globit me sukseset e saj, erdhi enkas nga Amerika vetëm për të vizituar shqiptarët për këtë rast. Ajo mbërriti në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas pasditen e së hënës, shoqëruar nga babai i saj, Flamur Rexha.
Shqiptarja me famë botërore tha se ndjehet keq që u desh të vijë për këtë arsye këtu, duke shpresuar që e ardhmja do ta sjellë për një koncert në koncert në vendin e saj. “Është me të vërtet e dhimbshme që duhet të vija për këtë arsye por unë gjithmonë e them, unë kam lindur në New York, por zemra ime pompon gjak shqiptari. Kështu që nuk ka rëndësi se çfarë ndodh, unë gjithmonë do të vijë të mbështes vendin”, u shpreh artistja botërore me origjinë shqiptare.
Ajo mori rrugën drejt disa fshatrave të Shqipërisë, ku pasojat nga tërmetet ishin të shumta. “Ashtu siç e thash, jam shumë krenare që jam shqiptare dhe jam shumë e lumtur që mund të ndihmoj një familje tjetër dhe kjo është shtëpia e dytë që do ta rindërtojmë dhe siç e thashë është fatkeqësi ajo se çfarë ndodhi në Shqipëri. Ne jemi shumë të fortë dhe jam krenare që po mundem të ndihmoj njerëzit e Shqipërisë, dhe dua të them vetëm edhe diçka: Për të gjithë shqiptarët kudo në botë, kjo është një shans për të ndihmuar popullin tuaj, të dhuroni, të ndihmoni njerëzit tanë, që të rindërtojnë jetën e tyre, t’ju bëjmë një jetë më të mirë dhe se çdo gjë sado e vogël ndihmon kështu që faleminderit shumë dhe Zoti i bekoftë shqiptarët”, përfundoi artistja shqiptare me nam ndërkombëtar.
Duke bashkëndier dhimbjen me popullin e saj, që po kalon momente të vështira pas kësaj katastrofe natyrore, Bebe Rexha premtoi se do të bëjë të pamundurën për të ndihmuar bashkëkombësit e saj. Teksa vizitoi më të vegjlit, shkëlqimi i të cilëve vërehej në sy kur para kishin një artiste ndërkombëtare, kjo e fundit u kujdes që ëmbëlsirat e marra enkas nga shtëpia e saj, t’ua shpërndante atyre me plot emocion.
Ajo nuk ishte e vetme në këtë rrugëtim, pasi u përcjell nga Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, dhe bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, e cila e priti që në aterimin e saj këngëtaren me të cilën krenohet mbarë Shqiptaria. “Faleminderit Bebe për këtë solidaritet, për këtë krenari që ndjen që je shqiptare dhe për faktin që je me ne në këto momente jashtëzakonisht të vështira, momente nga të cilat ne mund të themi që nuk i kemi përjetuar prej shumë kohësh. Vetëm nëpërmjet këtij solidarioteti jemi të bindur që do t’i përballojmë dhe do të ndihmojmë këto familej që sot janë në kushtet më të vështira, por që nuk janë pa shpresa”, ka thënë Ilir Meta teksa iu drejtua artistes me plot falënderime. /Telegrafi/