Çfarë tmerri është të dalësh me çuna

E keni ndjekur “Përputhen” këto javë? Nëse jo, dijeni që ndodhi e paparashikueshmja. Eno, i cili prej fillimit shfaqej shumë i dhënë pas Antonetës, i tha kësaj të fundit se raporti mes tyre ishte thjesht shoqëror dhe s’kishte një të ardhme romantike. Deklaratë kjo, që e kapi totalisht në befasi Antonetën dhe u tha pas një takimi privat pa kamera ku kush e di ç’është bërë.

Jo vetëm Antoneta, po të gjithë shikuesit mbetën pa fjalë nga ky veprim i Enos. Sot, u zbulua se të tre takimet mes tij dhe Antonetës, ishin mundësuar nga ai, që ia kishte kërkuar para se të nisnin xhirimet. Pra, nga një njeri që i kërkonte vazhdimisht të dilnin, të njiheshin, i bënte surpriza dhe e shihte me sy ëndërrimtar, u shndërrua në një njeri që ia punoi pas shpine sepse siç u sqarua, nuk kishin folur në asnjë moment gjatë takimit të fshehtë se s’kishin kurrfarë ndjenje për njëri-tjetrin.

Nisur nga kjo përvojë që të themi të drejtën duhet ta kishim pritur, dolëm në përfundimin që dating është një tmerr. Mendojeni pak. Të njohësh vazhdimisht njerëz të rinj që është mjaftueshëm e lodhshme sa s’ka nevojë për pika të tjera në këtë listë dhe të marrësh pjesë në këtë lojë të madhe plot me skema dhe rregulla të pafolura. Ai duhet t’i shkojë nga pas, duhet të shkrihet për të, por jo shumë. Ajo duhet të jetë e ftohtë dhe e vështirë por jo shumë. Ai duhet të bëjë dhurata, ajo duhet të luajë koketën. Kjo është detyrë e tij, ndërsa kjo është detyrë e saj. Nëse bën këtë, bën gabim, por nëse nuk e bën, je i mërzitshëm.

Është kaq e pamundur të navigosh jetën romantike kur je beqare, kaq e lodhshme, kaq e paparashikueshme. Disa njerëz duhet ta kenë të lindur durimin dhe aftësinë e nevojshme për t’u marrë me çunat. Sigurisht kjo vlen kur njeh njerëz nga hiçi dhe nuk ke ndjenja a pëlqim paraprakisht se aty lehtësohet gjithçka. Me pak romancë injorohen të metat dhe veset.

Në shumicën e rasteve është një tmerr. Thjesht ndiqni shkëmbimin e Antonetës me Enon dhe lumturohuni që keni dikë në krah. Nëse jo, shpresoni që jeta mos t’ju hasë me një Eno. /Anabel/

SHKARKO APP