Chanel mes lulesh, shtëpia franceze e modes prezanton koleksionin pranverë-verë 2021

Shtëpia e modës, Chanel prezantoi koleksion pranveror në një atmosferë familjare në Pallatin e madh të Parisit. Mes të ftuarve ishin aktore të famshme si Penelope Cruz, dhe disa ambasadore të tjera të markës luksoze.

Shtëpia franceze e modës Chanel zgjodhi një atmosferë intime si në familje për shfaqjen e saj “Haute Couture”, pranverë-verë 2021, me modele që ecnin nën harqe lulesh, në një prezantim duke respektuar distancën sociale.

Me Francën nën kufizimet e Covid-19, marka, si të tjerët, ndau një video në internet, në një kohë kur prezantimet tradicionale të pasarelave, zakonisht të mbushura me redaktorë, blerës dhe ndikues, nuk mund të zhvillohen.

Aktoret Penelope Cruz, Marion Cotillard dhe Lily-Rose Depp, të gjithë ambasadore të Chanel, vëzhgonin të ulura në karrige, larg njëra tjetërës ndërsa modelet ecnin nëpër shkallët e “Grand Palais” të Parisit mbi një sërë lulesh delikate, në një pasarelë të mbushur me petale dhe drita.

Në koleksionin e krijuar nga stilistja Virginie Viard binin në sy fustane të qëndisura me dantella. Funde, bolero, këmisha dhe xhaketa së bashku me kostumet tradicionale të tweed Chanel.

Modelet mbanin gjithashtu kurora me lule në kokat e tyre. Ngjyrat mbizotëruese ishin kryesisht pastel dhe e zezë.

Modelet pas sfilatës në pasarelë uleshin në karrige dhe secila mbante në dorë lule.

Shfaqja u mbyll me nusen tradicionale Chanel që mbërriti mbi një kalë dhe e veshur me një fustan saten të butë, të stilit 1920, të qëndisur me flutura.

SHKARKO APP