”Digitalb”: Ildën e veshim ne, Muç Nano surrogato i vjetëruar

Prej javësh ka “shpërthyer” një debat në media mes gazetares së “SuperSport”, Ilda Bejleri dhe opinionistit Mustafa Nano, lidhur me zhveshjen e tepruar, sipas tij, të moderatores. ”Telenovela” në distancë mes Bejlerit dhe Nanos, ka nxitur reagimin e platformës ‘’Digitalb”.

Në deklaratën e ”Digitalb”, thuhet se ky debat ka mangësi që në zanafillë, sa kohë që nuk është shtruar nga ana e profesionistëve. Sipas tyre përgjegjësinë e plotë për veshjen e moderatoreve e mbajne vetë ata, dhe jo Ilda në rastin konkret. Sipas tyre Bejleri nuk është vetëm moderatore, por edhe imazh, dhe gjykimi vetëm në një pikë të së gjithës është i gabuar.

Më tej në deklaratë thuhet se televizioni shqiptar vuan nga gjithologët, duke iu referuar rastit të Nanos dhe se mendimet e tij janë të vjetëruara.

DEKLARATA E PLOTË:

DigitAlb ka ndjekur me vëmendje debatin e ngritur ditët e fundit në lidhje me kritikat për veshjen e moderatoreve të emisioneve sportive. DigitAlb vëren me keqardhje, që debati ka mangësi që në zanafillë.

Së pari, ai është një debat i ngritur gabimisht mes një joprofesionisti të fushës dhe një moderatoreje, kur duhej të ishte një profesionisti e një televizioni.

Nëse ka diçka për t’u kritikuar në veshjen, sjelljen, moderimin, gazetarinë, regjinë, cilësinë e transmetimit a të panelit, apo dhe të çfarëdo elementi tjetër të një emisioni, përgjegjësia është e medias përkatëse dhe debati e kritika duhet drejtuar drejt saj. Televizioni, për ata që janë profesionistë të fushës, është puna e një grupi njerëzish, ku përgjegjësitë nuk i mban vetëm ai që del në ekran, por krejt ekipi që punon për të realizuar një produkt televiziv.

Së dyti, për rastin konkret, moderatorja e sulmuar, Znjsh. Ilda Bejleri është njëkohësisht gazetare, moderatore dhe imazh. Në performancën e saj televizive, ajo i sjell të trija këto cilësi në ekran, sepse të trija janë pjesë e punës dhe personalitetit të saj. Gjykimi i vetëm njërit element të shkëputur nga të tjerët është thjesht dëshirë për protagonizëm, duke nxjerrë atë element jashtë së tërës.

Së treti, DigitAlb, në tërë produktet e veta ndjek nga afër modelet dhe standardet më të mira europiane, qofshin ato teknologjike dhe kreative. Ndërthurja e cilësisë së përmbajtjes me një imazh sa më bashkëkohor, e që të vijë sa më pranë nevojave të publikut të dekadës së dytë të mijëvjeçarit është sfida jonë kryesore, të cilën e marrim me shumë seriozitet.

Së fundi, televizioni shqiptar ka shumë nevojë për debat, një debat të hapur, publik dhe pa kompromise. Televizioni shqiptar vuan nga mungesa e profesionistëve dhe zëvendësimi i tyre me surrogato në moshë të vonuar; vuan nga seksizmi pa profesionalizëm dhe imazhi pa përmbajtje; vuan nga gjithologët që flasin për gjithçka dhe që dalin në çdo studio, e së fundmi edhe si moderatorë programesh, e cila po bëhet një tendencë; nga varfëria e ideve të personaliteteve atelevizive; vuan nga të vjetrit që nuk i lënë vend të rinjve; por mbi të gjitha vuan sepse televizionin e bëjnë ata që nuk e njohin televizionin.

Për të tëra këto ka shumë nevojë për debat, veçse ky debat duhet të vijë nga profesionistët dhe ata që e njohin fushën. Një debat i nisur vetëm për audiencë personale dhe me sulme personale nuk i ndihmon askujt, madje as atij që e nis”.

SHKARKO APP