DJ shqiptar provë që shkolla nuk të duhet gjithmonë
DJ Vicky, ose Vik Kraja, pak kohë më parë njoftoi largimin nga muzika sepse sipas tij, nuk e njihte më industrinë të cilës i ishte përkushtuar. I ftuar te Rudina, ai tha të kundërtën. Nuk do të tërhiqet nga muzika, por do të vijë ndryshe, me një strukturë të re të jetës së natës që mikson këngët me dizajnin. Dizajnin?
Vicky thotë se dizajni është profesioni i tij parësor. Madje mban postin e drejtorit kreativ në një agjencie marketingu që vepron edhe ndërkombëtarisht, edhe në Shqipëri. Nuk ka studiuar një ditë të vetme për dizajn por mesa duket është i talentuar vetiu. Kur ishte ende adoleshent dhe u vu para zgjedhjes, Vicky zgjodhi të ndiqte hapat e të atit, i cili është mjek. Ngaqë e adhuronte, donte të bëhej si ai. Pas dy vitesh në Mjekësi të Përgjithshme, Dj-in e la benzina dhe hoqi dorë.
Pas kësaj, për arsye ende të panjohura, vendosi të studionte katër vite Drejtësi, nga ku u diplomua me sukses. “S’më hyri në punë për asgjë,” thotë ai dhe vijon me deklaratën që na solli këtu. ”Ndoshta bëj gabim që e them por për mua shkolla dhe sidomos shkolla në Shqipëri, nuk bën. Është një humbje kohe. Bota ka treguar se njerëzit që kanë ëndrra dhe duan të ecin përpara dhe të mësojnë, ndonjëherë ia dalin më mirë se po të harxhonin energji, lekë, kohë në shkollë”.
Vicky flet nga perspektiva dhe nga pozita e privilegjit që e ka shoqëruar gjithë jetën. Ai vërtet është shembull se ndonjëherë shkolla nuk të duhet në jetë, por ato “ndonjëherë” përfshijnë rastet kur mund të ndjekësh dy a më shumë degë për të kuptuar çfarë të pëlqen dhe kur mund të eksperimentosh me profesionin në kërkim të suksesit pa pasur presione financiare. Shkoni në shkollë kalamaja se s’i ka bërë dëm kujt. Nëse jeni të talentuar gjetkë, do gjeni mënyrën për ta përdorur. /Anabel/