Dritan Hoxha nderohet me titullin “Mjeshtër i Madh”, Presidenti Begaj: Ëndërrimtar dhe vizionar i palëkundur

Themeluesi i Top Medias Dritan Hoxha, është dekoruar me titullin “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj. Ky nderim nga kreu i shtetit për vizionarin që transformoi konceptin e medias vizive në Shqipëri, vjen 15 vite pas ndarjes së tij nga jeta. Si një ëndërrimtar e vizionar i palëkundur, guximtar në krijimtari, inovator e pasionant e cilësoi Begaj themeluesin e Top Medias, që arriti të krijojë një vepër të papërsëritshme për nga dimensionet.

“Njeriu që punoi natë e ditë për të realizuar projektin e jetës, ai e meritoi mbiemrin e ri me të cilin njihej si Tani i Topit.”-tha Begaj. Duke e vlerësuar Top Channel, si televizionin që kishte munguar, Begaj rikujton vitet e para të ngritjes së televizionit të shqiptarëve, që dallohej jo vetëm nga teknologjia e lartë, por mbi të gjitha, nga cilësia e programeve për të gjitha grupmoshat e shoqërisë tonë, mision, i cili vazhdon edhe sot njësoj.

“Të nderuar familjarë të familjes Hoxha, Të nderuar gazetarë e punonjës të medias Top Channel, Të nderuar pjesëmarrës! Sot kam kënaqësinë të nderoj me titullin Mjeshtër i Madh, një nga personazhet më të njohura të medias vizive shqiptare, zotin Dritan Hoxha. Guximtar në krijimtari, ëndërrimtar e vizionar i palëkundur, inovator e pasionant ai arriti të krijojë një vepër të papërsëiritshme për nga dimensionet. Njeriu që punoi natë e ditë për të realizuar projektin e jetës, ai e meritoi mbiemrin e ri me të cilin njihej si Tani i Topit. Shembulli i tij është tregues se si sipërmarrja private shndërrohet në një të mirë publike. Se si shqiptari mund t’ia dalë të jetë i suksesshëm edhe në vendin e vet. Se si suksesi në biznes mund të shoqërohet me bujari dhe filantropi. Dritani ishte një nga ata pak njerëz që të ardhmen e shohin tani. Media që krijoi ishte televizioni shumë i munguar nga ekrani i shqiptarëve. Ajo dallohej jo vetëm nga teknologjia e lartë, por mbi të gjitha, nga cilësia e programeve për të gjitha grupmoshat e shoqërisë tonë. Tani i Topit vendosi standartet e larta të medias vizuale, mbështeti qindra të rinj e të reja të realizonin talentet e tyre dhe krijoi koncepte të reja të cilat e ngritën nivelin e informimit në Shqipëri. Ai pati largpamësinë që nëpërmjet paketës digjitale të shpërndante lajmin dhe gjuhën shqipe duke kontribuar në këtë mënyrë në ruajtjen dhe trashëgiminë e gjuhës shqipe edhe tek diaspora jonë. Sot trashëgimia e tij është jo vetëm sipërmarrëse, por edhe pjesë e rëndësishme e trashëgimisë tonë mediatike. Uroj dhe besoj që këtë trashëgimi të vazhdoni ta çoni përpara Ju, familja e tij me përgjegjësi dhe krenari”-ishte fjala e presidentit Begaj.

Në ceremoninë emocionuese nga fjalët vlerësuese të kreut të shtetit, drejtuesja e Top Channel, Lori Hoxha, në fjalën e saj falënderuese shprehu me bindje të fortë, se vlerat që Top Media përcjell prej vitesh, do të ruhen me fanatizëm, nder dhe përgjegjësi të plotë, ashtu sikurse Dritan Hoxha e ideoi.

“Në emrin tim dhe të gjithë familjes, doja të falënderoja zotin President për nderin dhe vlerësimin që iu bë sot tim eti. Për ne është lumturi e madhe që sot pas 15 vitesh nga ikja e tij, ai mbahet gjallë nga veprat dhe nga ndikimi që pati tek jeta e çdo shqiptari. Unë jam mirënjohëse për atë, po aq sa duhet të jetë çdo shqiptar. Për njeriun e pakapshëm që ishte dhe për dëshirën që pati për të ndërtuar një media, e cila edhe sot jeton me frymën dhe vizionin që ai la.

E vetmja media shqiptare që vazhdon e mbahet me dëshirën për të bërë gjëra të bukura, e për t’i shkuar sa më afër të vërtetës në çdo gjë që bën. Media e cila ruan me dinjitet themelet duke vrapuar drejt së ardhmes pa frikë dhe pa kompromise. E vetmja media e trashëguar te brezi i ri. Ai brez që e mësoi shqipen të pacenuar sepse Dritan Hoxha besoi fort se e ardhmja është shqip, dhe ajo s’duket prekur. Media e cila çdo ditë ka mbi tetë prodhime shqip, e çdo mbrëmje flitet shqip. Media që e ruan edhe kur humb gjuhën dhe trashëgimin.

Media, e cila lufton sot lojën e pabarabartë të konkurrencës në audiencë në Top Channel dhe në shpërndaje të gjuhës shqipe në Digitalb, një tjetër vlerë kombëtare që përcjell gjuhën shqipe të çdo shqiptar. Media që shtoi një treg që nuk ekzistonte dhe i mundësoi vetes mbijetesë, duke mos cenuar në asnjë moment interesin publik, por duke e pasur parësor. media që shkëlqen që furnizohet vetëm me punë dhe dinjitet. Media e paprekur nga baltosje e vazhdueshme. E vërteta është shumë e vërtetë. Im atë ishte i vërtetë, Top Media është e vërtetë dhe kjo ndihet, prandaj shkëlqen. E njohin shqiptarët të vërtetën, e besojnë dhe e ruajnë. Unë e di sepse e shoh sesi përkthehet në audiencë. Sa herë i largohesh të vërtetës, ajo ndihet. Jam e lumtur që Top Channel ka standard Tanin, limitet që i vendosi, që ne vetëm do na duhet ti ruajmë dhe t’i përshtatim. Më lejoni të shtoj diçka. Im atë nuk la pas vetëm veprën, por familjen dhe zonjën e tij.

Nuk më është dhënë rasti deri tani por do doja ta falënderoja time më, për punën dhe luftën krah tim eti, e më pas për t’i ruajtur atij familjen dhe vizionin. Unë dal sot ,e kokën lart dhe pranoj medaljet për tim atë, pikërisht se ajo qëndroi stoike dhe diti kur të luftonte dhe kur të tërhiqej. delegoi me dinjiteti atë që iu desh. Për mua vepra më e rëndësishme e Dritan Hoxhës është familja dhe unë kam nderin dhe përgjegjësinë të përfaqësoj atë dhe nderin e tij. Qoftë kujtimi i tij i paharruar për shqiptarët, siç është edhe për ne. Aq pak vite sa jetoi, i fali familjes shumë dritë. Faleminderit, faleminderit z.President”-ishte fjala falënderuese e drejtueses së Top Channel, Lori Hoxha.

SHKARKO APP