Dua Lipa hapi festivalin “Sunny Hill” në Prishtinë

Të enjten në mbrëmje në Prishtinë u hap festivali i muzikës “Sunny Hill” që organizohet nga Fondacioni me të njëjtin emër i këngëtares me famë botërore, Dua Lipa.

Para fillimit të festivalit, këngëtarja Dua Lipa tha në një konferencë me gazetarë se ndjehet krenare që është kthyer në Kosovë.

“Faleminderit për mbështetjen, për ndihmën dhe dashurinë që po na jepni çdo ditë që ne ta bëjmë një festival të tillë. Ndihem shumë krenare që jam këtu që kam mundësi me e sjell performancën. Po ndihem shumë mirë që jam në shtëpinë time edhe në vendin tim dhe të kem mundësi të bëj diçka të tillë”, tha këngëtarja Lipa e cila edhe hapi festivalin.

Organizatorët thanë se pjesëmarrës në festival sivjet do të jenë mes tjerësh edhe artistë të njohur si J Balvin, Diplo, Skepta, DJ Regard, AJ Tracey, Mahmood dhe interpretues shqiptarë.

Organizatori i festivalit “Sunny Hill”, Dukagjin Lipa tha se “festivali “Sunny hill” është një nga organizimet më të mëdha në Ballkanin Perëndimor dhe definitivisht gëzon vëmendje pozitive ndaj Kosovës. Unë gjithmonë përpiqem që të promovojë të rinjtë tanë dhe mendoj se jemi me shumë fat që kemi talent të shumtë në Kosovë, talent të shumtë në industrinë e muzikës dhe në arte në përgjithësi dhe mendoj se të rinjtë e Kosovës meritojnë më shumë se sa mundësitë që i kanë”, tha ai.

Zoti Lipa tha se në festival pritet që të ketë më shumë se 20 mijë pjesëmarrës nga vende të ndryshme.

Në qershor të këtij viti mbajtja e këtij festivali në Prishtinë u anulua për shkak të mosmarrëveshjeve rreth një prone që i ishte ndarë Sunny Hill-it nga komuna e Prishtinës. Organizatorët thanë se do ta zhvendosin festivalin në Tiranë, meqë mosmarrëveshjet politike pamundësuan mbajtjen e tij në Prishtinë.

Një marrëveshje ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe komunës së Prishtinë mundësoi rikthimin e festivalit në Prishtinë, pas reagimeve të shumta që kishte nxitur vendimi për mos mbajtjen e tij në kryeqytet.

Pas Prishtinës ku festivali mbahet nga sonte deri më 7 gusht, ai do të mbahet edhe në Tiranë nga 26 deri më 28 gusht.

Festivali Sunny Hill filloi në vitin 2018 në Prishtinë dhe u mbajt sërish në vitin 2019. Ndërsa pandemia e COVID-19 pamundësoi mbajtjen e tij më 2020 dhe 2021.

SHKARKO APP