E hoqën nga puna në RTSH, gazetari Bledi Strakosha: Me tekat e drejtuesve, por i uroj një fat mesatar
Televizioni Publik Shqiptar me ndërrimin e drejtuesit, ndërron edhe sipas oreksit stafin. Gazetari Bledi Strakosha nuk do të jetë më pjesë e RTSH-së, institucion ku punoi për vite me radhë. Ai sqaron përmes një postimi në Facebook, arsyet se përse sipas tij, sot ai gjendet jashtë institucionit ku ka punuar prej vitesh.
”Për vullnete, të cilat nuk është ky rasti t’i analizoj, RTSH ka shumë vite që ndodhet në gjendjen që njihet, por ajo që mund të them është se në këtë institucion ka ekzistuar një lloj pakti i pashprehur, ku profesionistët janë trajtuar të paktën si trajton qytetari shtëpinë me qira, apo fshatari hurmën e fqinjit kur i bie në oborr. Për sa po ndodh aktualisht në RTSH nuk bëj asnjë koment. E vetmja frazë që mund të shpreh është se i uroj RTSH-së një fat mesatar”,-shkruan Strakosha.
Postimi i plotë
8 vitet e fundit në RTSH për mua u mbyllën. Asgjë e re dhe asgjë tronditëse për dikë që prej 32 vitesh punon në media. Me lëvizjet e tregut, me ndryshimin e shijeve të audiencës e ndoshta edhe me tekat e drejtuesve a me të kujt u gjendet pranë në zyrë a gjetkë në çaste të caktuara të ditës e të natës, jemi mësuar dhe nuk kapemi të papërgatitur.
I vetmi emocion (i kuptueshëm kësaj radhe) vjen nga lidhja dhe afërsia shpirtërore imja me këtë institucion ku kam hyrë që fëmijë, ku kam mësuar ABC-në e profesionit, ku jam formuar nga profesionistë të televizionit e të drejtimit të mediave. Që nga fillimi i viteve ‘90 kur nisa punën në RTSH, kam parë të kalojnë shumë emra të njohur të televizionit, siç kam parë të vijnë e të ikin drejtues dhe emërues drejtuesish; secili me shkallën e vet të përkushtimit, ndershmërisë, aftësisë, zgjuarsisë, qytetërimit.
Për vullnete, të cilat nuk është ky rasti t’i analizoj, RTSH ka shumë vite që ndodhet në gjendjen që njihet, por ajo që mund të them është se në këtë institucion ka ekzistuar një lloj pakti i pashprehur, ku profesionistët janë trajtuar të paktën si trajton qytetari shtëpinë me qira, apo fshatari hurmën e fqinjit kur i bie në oborr. Për sa po ndodh aktualisht në RTSH nuk bëj asnjë koment. E vetmja frazë që mund të shpreh është se i uroj RTSH-së një fat mesatar.
Së fundmi, gjej rastin të falënderoj nga zemra të gjithë ju që në këto 8 vite keni zgjedhur të më ndiqni apo edhe ju që në ekranin e RTSH-së e që në programet e mia keni ndalur rastësisht. Shumë falënderime tërë atyre personaliteteve të jetës shqiptare, të cilët kanë pranuar të jenë të ftuar në emisionet e mia, qoftë edhe kur e kanë bërë për miqësi apo si “qokë” personale. Bashkë, herët a vonë do të shihemi diku. Me respekt e mirënjohje për të gjithë ju!