“E nxorrën jashtë loje”, Çiljeta reagon ashpër kundër kolegëve: Unë nuk jam, “ma jep…, ta…!”

Mes shumë këngëtarëve të njohur që nuk u bënë pjesë e finales së Këngës Magjike këtë edicion, ishte edhe Çiljeta Xhilaga, e cila, ndryshe nga shumë kolegë të saj, zgjodhi të mos prononcohet as për mënyrën e votimit dhe as për mungesën e saj në finale.

Në të vërtetë, të gjithëve u ka rënë në sy kjo mungesë e Çilit në finalen e këtij viti. Jo vetëm sepse është një prej këngëtareve me më shumë pjesëmarrje në këtë festival (7 pjesëmarrje dhe 7 finale me çmime), por edhe për faktin që sa herë prezantohet në Këngën Magjike, përkushtohet maksimalisht për të dhënë më të mirën nga vetja. Dhe në një kohë kur të gjithë prisnin të përjetonin nga Çili të njëjtën magji, Hajmalia mungoi.

E kontaktuar nga revista Class, Çiljeta, megjithëse ka dashur të përcjellë në heshtje këtë moment për të qenë sa më larg diskutimeve dhe komenteve, tha vetëm që: “Jam vërtet e habitur dhe shumë e zhgënjyer nga votimi absurd i disa prej kolegëve të mi. Nuk kërkoja të më kualifikonin për miqësi, por për tërësinë e elementëve të një performance që ishte absolutisht në standardin e një nate finale”.

E sinqertë deri në fund, ashtu siç ka qenë përherë me publikun që e ndjek, Çili pranon të kënduarit live është sfidë. Por ajo që kënga dhe interpretimi transmetonin ishte mjaft e qartë. Kjo mungesë, për të nuk është aspak shqetësuese, sepse, në fund të fundit, ajo bëri më të mirën e saj, si në çdo kompeticion muzikor. Në të vërtetë, turpi këtu u mbetet disa kolegëve që nuk votuan një këngë si “Hajmali”, tërësisht të denjë për në finale.

Sa për votat e veta, Çili thekson se për këtë pjesë është përpjekur të votojë ata kolegë që për të përfaqësonin vlera të larta artistike, pa lënë mënjanë edhe vlerësimin për artistët e rinj. Ajo nuk ka pranuar asnjëherë të bëhet pjesë e lobingjeve “ma jep, të të jap”, përkundrazi ka zgjedhur të qëndrojë sa më larg tyre duke zgjedhur më të mirët sipas gjykimit të saj profesional: “Përpara dinjitetit tim nuk vë asgjë”, – thotë ajo duke dashur ta mbyllë këtë pjesë.

Dhe siç gjen dhe sheh gjithmonë anët pozitive, Çili këtë bën edhe këtë herë duke menduar se mënyrë më e mirë, ndoshta është sjellja e klipeve: “Megjithatë karriera vazhdon. Është zgjedhje shumë e mirë ideja e klipeve. Aty je i pakushtëzuar nga kupat dhe fitoret, kanë rëndësi klikimet. Sa herë dëgjohesh, është e barabartë me sa herë pëlqehesh”, – vijon Çiljeta.

Duke u uruar fitoren atyre që jetuan kënaqësinë e trofeve, Çili u gëzohet shtatë çmimeve të marra në edicionet paraardhëse dhe po përqendrohet te puna për videon e këngës së dhe te koncertet e fundvitit – aty ku matës nuk janë pikët, por duartrokitjet e publikut.

/ SYRI.net

SHKARKO APP