E planifikuar që FIFI fiton në “Kënga Magjike 2017”?!

Festivali kryesor i muzikës moderne shqiptare “Kënga Magjike” këtë javë po shënon edicionin e tij të 19-të, që pas dy gjysmëfinaleve, do të përfundojë me finalen e madhe ditën e shtunë të datës 9 dhjetor, me një super spektakël, ku do të njihemi dhe me fituesin e këtij edicioni. Mes shumë artistëve pjesëmarrës të këtij edicioni, ajo që bëri më shumë “zhurmë”, padyshim se është Filloreta Raci-FIFI.

Artistja e re multidimensionale nga Kosova, erdhi me një bashkëpunim me studion Threedots, përkatësisht kantautorin Kledi Bahiti. Balada e saj “Zhurmë” arriti që shumë shpejt të fitojë zemrat e publikut mbarëshqiptarë, duke u cilësuar si një ndër këngët më të mira të vitit 2017, dhe duke numëruar plot 3 milion klikime në kanalin Youtube, deri tani.

Por Fifi nuk po konkuron vetëm ndaj kolegëve të saj, ajo po e konkuron edhe veten, sepse përveq si këngëtare ajo vjen edhe si krijuese këtë edicion të festivalit “Kënga Magjike”, disa nga krijimet e tjera të saj janë: Valon Shehu-“ Ti mos më shaj”( me tekst të Fifit), Fjolla Morina ft. Blasta- “Shake” ( me tekst dhe muzikë poashtu nga Fifi) si dhe tekstet në këngët e Mishela Rrapos dhe të Silvana Rusit, i ka shkruar poashtu FIFI. Deri këtu nuk asgjë të keqe,…. por formula e festivalit e nxjerr fituesin nga votat që japin këngëtarët për njëri-tjetrin, dhe siq ka ndodhur rëndom dhe në edicionet e kaluara, përkatësisht në fitoren e Rozana Radit në 2016 dhe Aurela Gaces në 2014 e 2015, me një matematikë të thjeshtë FIFI është fituesja potenciale e këtij viti.

Por le të kthehemi pas dhe të analizojme pse dhe si fituan Rozana dhe Aurela?! Vitin e kaluar, Rozana Radi u prezantua me një këngë që përcillte një mesazh të fuqishëm, tekstin e së cilës e shkroi ajo vet dhe kompozimin nga Elgit Doda. Rozana po ashtu ishte tekstshkruesja edhe e disa këngëve të tjera atë edicion, e gjithashtu nga studioja muzikore e Elgit Dodës erdhën edhe këngë të tjera, këngëtarët që bashkëpunuan me Elgitin dhe Rozanën të gjithë i dhanë pikët maksimale asaj, dhe kështu triumfoi në natën finale.

Në edicionin e 17-të, Aurela Gace po merrte pjesë në këtë festival me baladën dramatike “Akoma Jo”, një krijim i kompozitorit Adi Hila, e pikërisht nga studioja e Adi Hilës, po atë edicion konkuronin edhe mbi 10 këngëtare të tjerë, të cilët me marrëveshje apo jo, i dhanë pikët maksimale këngës së Aurela Gaces, e cila poashtu përdori një formulë mjaft interesante atë edicion, sepse të gjithë konkurentëve pjesëmarrës ua shpërndante këngët nëpër rrjete sociale.

Pothuajse e njëjta gjë po ndodh edhe me këngëtaren FIFI këtë edicion, e cila ua shpërndanë nëpër faqet e saja zyrtare në rrjetet sociale këngët e artistëve pjesëmarrës të “Kënga Magjike 2017”, e ajo po sjell një bashkëpunim me Kledi Bahitin, kompozitori i shumë këngëve të tjera të këtij viti, si: Anxhela Peristeri-“E Cmendur”, Valon Shehu-“Mos më shaj”, Blerina Braka-“Mirupafshim Dashuri” etj. Pra, në mënyrë të pashmangshme lind pyetja: A e ka planifikuar FIFI fitoren në “Kënga Magjike 2017”?!

Nëse FIFI e ka gjetur formulën, atëherë përse të mos e zbatojë, por ku mbetet reputacioni i festivalit “ Kënga Magjike”, krijuesi i të cilit Ardit Gjebrea pothuajse çdo vit bën thirrje kundër pazarllëqeve ndërmjet këngëtarëve pjesëmarrës, e i cili shumë thjeshtë mund ta zgjidhë i vetëm këtë shqetësim të fansave të festivalit që çdo vit e ndjekin me kërshëri këtë festival.

Ai qysh nga edicioni i ardhshëm mund të krijojë një formulë të re për festivalin, duke e ndryshuar thjeshtë një rregull, ku një kantautor/e apo tekstshkrues/e të mos paraqitet në festival me më shumë se 3 krijime të tij/saj. Pra, në këtë mënyrë ai do të ulte mundësinë që artistët të bënin pazarllëqe me njëri-tjetrin dhe do të shtonte gjasat që numri i pjesëmarrjes së artistëve dhe kompozitorëve nga Kosova të rritej më shumë (sepse dukshëm është zbehur kjo pjesëmarrje viteve të fundit, ndoshta edhe për shkak të kësaj formule të deritanishme).

Burimi: Tirana Post

 

SHKARKO APP