Eleni Foureira e prekur nga mesazhet raciste për origjinën e saj
Ka ndarë më dysh opinionin në Qipro.
Jo aq për këngën me të cilën do të prezantohet në Eurovizion, por për origjinën e saj shqiptare.
E lindur në Elbasan, por e rritur në Greqi ku krijoi një karrierë të sukseshme, Eleni Foureira tani po ndeshet me reagimet dhe komentet deri raciste të një pjese të opinionit, që është kundër përfaqësimit të Qipros në Eurovision me një këngëtare shqiptare. Në një intervistë që do të transmetohet të dielën e ardhshme për emisionin ‘Tet a tet’ në televizionin Publik të Qipros, Eleni Fureira i quajti të turpshme reagimet që vënë në dukje origjinën e saj.
Është e turpshme të dëgjosh nga një i ri të thotë “a, je nga Shqipëria, atëherë me Shqipërinë të shkosh në Eurovizion”.
Dëshira për të përfaqësuar Greqinë në Eurovision nuk u konkretizua, por ishin drejtuesit artistikë në Qipro që i propozuan pjesëmarrjen. Eleni nuk e ka harruar këtë pjesë të përballjes me paragjykimet edhe kur bëhet fjalë për botën e artit apo të muzikës.
“Shkon në një shtëpi diskografike dhe nuk të pranojnë sepse je nga Shqipëria. Thua me veten, a është e mundur? Nuk e bëj dot ëndrrën time realitet sepse jam nga Shqipëria”?
Kënga me të cilën Eleni Foureira do të prezantojë Qipron në Festivalin Europian të Këngës është publikuar dhe mban titullin Fuego. Seksi dhe shpërthyese, parashikimet e rendisin në vendet e sipërme të konkurentëve në Eurovision.