Eneda Tarifa fiton “Këngën Magjike”, salla brohoret për Fifin
“Ma zgjat dorën”, nga Eneda Tarifa ka arritur të fitojë festivalin “Kënga Magjike 2019”. Pas tri netëve të ngarkuara me emocione, për shkak të misionit që mori përsipër ky edicion, mbrëmja finale pati garë të fortë. Fifi, me “Marova” fitoi çmimin e dytë të Këngës Magjike. Anxhela Peristeri me “Dikush si ti”, fitoi çmimin e tretë të këtij festivali.
Publiku i dha pikët maksimale Fifit por ishte e vështirë të përmbysej rezultati. Gjatë momentit të marrjes së kupës, pati edhe një moment të sikletshëm për Enedën, të cilës iu desh të përballej me publikun në sallë që thërriste emrin e Fifit.
Nisur nga fakti që Fifi ishte më e votuara nga publiku, rrjedhimisht të pranishmit në sallë prisnin të fitonte. Megjithatë Eneda u shpreh se nëse do të kishte mundësi, do ta ndante çmimin përgjysmë. Këtë vit votimet ishin ndarë në tre pjesë, votimi nga kolegët (këngëtarët pjesëmarrës në festival), juria dhe votat e publikut.
Kënga Magjike erdhi këtë vit ndryshe. Për herë të parë pas 20 vitesh, nuk u ndanë çmime dhe nuk pati nominime. Të vetmet çmime ishin ato për dy kategoritë e reja të këtij viti, New International Artist dhe Best Big International, si dhe për artistin e ri më të mirë. Çmimi Best New Artist shkoi për Khuba, New International Artist shkroi për grupin italian Sisma dhe Best Big International shkoi për artisten nga Maqedonia e Veriut, Tamara Todevska.
Këngët, skenografia, ndriçimi të ndërthurura mirë me njëra-tjetrën sollën në këtë finale një spektakël madhështor. 45 artistë kënduan për të ndërtuar në këtë edicion të 21-të, të festivalit Kënga Magjike. Të ardhurat e mbledhura nga biletat do të shkojnë për të mbështetur të prekurit nga tërmeti i 26 nëntorit.
https://www.instagram.com/p/B5yd-K3gB5e/