Episodi i parë i serialit ”Prokurori” arrin sukses edhe në Prishtinë
Pas suksesit në Tiranë, episodi i parë i serialit “Prokurori” me regji të Fatmir Dogës dhe producentëve Ylli Ujka dhe Çesk Ivanaj, u shfaq edhe në Prishtinë. Ky serial vendos në qendër luftën kundër krimit dhe korrupsionit politik, duke trajtuar tema të ndjeshme për shoqërinë shqiptare.
“Është kënaqësi e veçantë të prezantojmë projektin tonë këtu në Prishtinë. Kjo ka vlerë për çdo shqiptar, por për mua dhe Çeskun, që nga origjina jemi nga Malësia e Shkrelit, Kosova na është dyfish në zemër. Seriali do të vazhdojë të shfaqet në të gjitha qytetet dhe vendet e Europës ku ka diasporë, dhe gjithashtu do të ketë audicione dhe shfaqje të vazhdueshme. Janë projekte ambicioze për të cilat jemi të bindur se do të kenë sukses,” deklaroi producenti Ylli Ujka.
Bashkëproducenti Çesk Ivanaj theksoi rëndësinë e këtij projekti për shoqërinë shqiptare në të dy vendet. “Shpresojmë që pjesa e parë ka transmetuar emocionin e këtij filmi unik. Shqipëria dhe Kosova e kanë vuajtur këtë situatë dhe me ndihmën e drejtësisë dhe seriozitetit të njerëzve do të kalojnë çdo vështirësi. Populli ynë meriton të ecë përpara dhe të bëhet një nga vendet më unike në Europë dhe në botë,” u shpreh Ivanaj.
Filmi “Prokurori” po vijon të shfaqet në të gjitha kinematë kryesore në Tiranë dhe në Prishtinë, duke sjellë një projekt unik që bashkon talentet shqiptare dhe ndërkombëtare. Biletat janë tashmë në shitje dhe mund të blihen online ose në kinematë e Shqipërisë dhe Kosovës. Seriali “Prokurori” pritet të vazhdojë me shfaqje të tjera në vendet ku ka komunitet shqiptar.