Erisa Xhixho paska një shije të veçantë gjatë shtatzënisë
Ajo që i ndodhi Erisa Xhixhos në “C’est la vie” do të jetë një kujtim i bukur jo vetëm për të, por edhe për vajzën e saj që pritet të lindë pas pak muajsh. Mënyra origjinale se si ajo e dha lajmin për publikun ishte e bukur dhe emocionuese dhe këtë, Erisa e ka thënë edhe publikisht. Për të do të jetë një kujtim i bukur që do ta shijojë së bashku me të bijën kur ajo të rritet.
Kur mori ftesën për të qenë pjesë e “C’est la vie”, Erisa sapo kishte mësuar edhe lajmin se do të bëhej nënë për herë të dytë, madje mjeku i këshilloi asaj që mund t’i këndojë fëmijës në bark (që më pas Erisa e konkretizoi publikisht këshillën e tij), kështu që ishte koha më e mirë që ajo të bëhej pjesë e këtij spektakli.
Por si e zbuluan në Klan lajmin që Erisa ishte në pritje të një fëmije të dytë? Nënkryetarja e LSI-së zbuloi mbrëmjen e sotme në “Post C’est la vie” se në Klan e zbuluan që në fillim se ajo ishte në pritje të ëmbël. Pas pyetjes së Marinës se si e mbajti të fshehur për disa javë, ajo tha se produksioni e dinte që në fillim: “Të gjithë e dinin këtu, më shihnin çdo ditë duke ngrënë ftua. S’ka mundësi gjithë ditën të hajë ftua një njeri, kuptohet që është shtatzënë”, – tha Erisa me të qeshur.
Ndërsa për publikun, javët e para të shtatzënisë ajo i mbuloi me fustanet me prerje të gjerë e bel të lartë, derisa më në fund, pas këngës, vendosi të përkëdhelë barkun e të tregojë se dikush po vjen…
“Lajmi doli shumë bukur. Unë u emocionova shumë dhe jam e lumtur që vajza ime nesër do të ketë një kujtim të bukur kur unë t’i them se kur kam qenë shtatzënë me të, kam kënduar”, – tha Erisa duke theksuar edhe një herë se ky spektakël e ndihmoi shumë emocionalisht për muajt e parë të pritjes së ëmbël, që nuk janë edhe aq të mirë për nënat shtatzënë.
Në fakt, kontribut gjatë këtyre javëve ka dhënë edhe Pandi Laço, i cili i sillte Erisës ftonj nga bahçja…/class