Eurosogun e fiton Izraeli. Finale “shqiponjash”, Eugenti i 11-ti

“TOY” është kënga fituese e Eurovision Song Contest 2018. Këngëtarja nga Izraeli, Netta është fituesja e edicionit të 63-të të Eurosongut, që këtë vit u mbajt në Lisbonë të Portugalisë. 25-vjeçarja u vlerësua me 529 pikë, ku votat maksimale të publikut e shpallën atë fituese. Nga votat e jurisë profesionale ajo u rendit e treta, por kënga “TOY” u vlerësua nga publiku.

Ndërsa tre shqiptarët e këtij festivali u pozicionuan në Top 11, ndonëse në sondazhe njëri prej tyre ishte pretedent për fitues. Përfaqësuesja e Qipros, shqiptarja Eleni u rendit e dyta, ndërsa Eugent Bushpepa në vendin e 11-të me 184 pikë. Ermal Meta pati një renditje më të mirë me 308 pikë, duke e pozicionuar Italinë të pestën.

Pas votave të jurisë, Bushpepa u rendit në vendin e 7, ndërsa pas votimit të publikut Shqipëria është renditur në vendin e 11.

Për shqiptarët, ky edicion i 63-të i Eurovision Song Contest (Festivali Europian i Këngës) ishte i i veçantë dhe do të mbahet mend, veç të tjerash, si festivali i “shqiponjave”.

Si asnjë herë më parë në 63-vite Eurosong, në skenën e madhe të “Altice Arena” në Lisbonë të Portugalisë, u ngjitën tre shqiptarë. Njëri padyshim që do të ishte përfaqësuesi i Shqipërisë, Eugent Bushpepa që me këngën “Mall”, mori vlerësimin e madh si zëri më i mirë mashkull i këtij edicioni. Bushpepa ngriti në peshë skenën në Festivalin Europian e Këngës, teksa këndoi i 12 në finalen e madhe. Me vokalin e tij të magjishëm, Bushpepa përfaqësoi denjësisht Shqipërinë.

Eleni Fouriera, 31-vjeçarja e lindur në Fier, por që u rrit në Greqi, ngriti flamurin e Qipros me “Fuego”. Mes emcioneve, shqiptari i tretë në skenën e Eurosong-ut ishte Ermal Meta, që në bashkëpunim me Fabrizio Moro, dhanë mesazhin më të fortë me “Non mi avete fatto niente”, për sulmet terroriste që tronditën Europën dhe mbarë botën.

Tre shqiptarët, ndër më të komentuarit e këtij edicioni, Ermali për mesazhin e fortë ndaj terrorizimit, Eleni e cila elektrizoi skenën me vokalin dhe me performacës zjarr, treshja u kompletua me Eugent Bushpepën. Një zë brilant, Eugenti bëri që kënga “Mall” të marrë duatrokitje pa fund. Ndriçimi i skenës alternohej mes blusë së thellë dhe të kuqes. Në momente të caktuara, gjithçka errësohej për t’i dhënë më shumë vëmendje këngës. Notat e larta Bushpepa i arriti mrekullisht pa u munduar, s’kishim dyshime. Në skenë, Bushpepa ishte i shoqëruar nga instrumentistët Denis Hima, Gerti Hima, Besnik Nikolli dhe vokalistët Erinda Agolli e Greta Radovani. Enada At’Nikolla u kujdes për veshjet Bushpepës dhe bandës së tij në skenë. Ai veshi një kostum elegant me elementë rrok. Kantautori që në gjysmëfinalen e parë, e për më tepër në natën finale, tregoi që nuk ju tremb syrin e nuk ju drodh hiç zëri. Me fjalë të pakta, këtë Eurovision Eugenti e “dogji”.

Në gjysmëfinalen e 8 majit, pasi siguruan biletën për në finalen e madhe, Eugenti dhe Eleni u panë në skenën e madhe të Lisbonës, duke uruar njëri-tjetrin.

Pas shqiponjës mes Eugent Bushpepës dhe Elenit, një tjetër “shqiponjë” u shfaq në Lisbonë, këtë herë mes Bushpepës dhe Metës. Ka qenë ky i fundit që ka postuar foton në rrjetet e tij sociale, si edhe bashkangjitur me të ka qenë edhe një foto që ai ka realizuar me Elenin.

Redjon Shtylla /Koha Jonë/

SHKARKO APP