Festivali ”Sunny Hill” në Tiranë, Veliaj: Në gëzime e sfida shqiptarët do jenë gjithmonë bashkë
Festivali ”Sunny Hill” i Dua Lipës, nuk do të organizohet në Prishtinë, por në Tiranë. Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj thotë se në gëzime e sfida shqiptarët do jenë gjithmonë bashkë ”Prishtinasit e kosovarët janë edhe tiranas, në gëzime e sfida do të jemi bashkë si shqiptarë të mirë, sot në Tiranë nesër në Prishtinë, por gjithmonë një, gjithmonë bashkë”, shkruan Veliaj.
Festivali do të mbahet nga 4 -7 gusht, ku Bashkia e Tiranës ka siguruar se gjithçka do të jetë në mënyrë perfekte. Arsyeja e mosmbajtjes së festivalit në Prishtinë është “për shkak të vonesave të shumta të shkaktuara nga mungesa e përgjigjes dhe vendimit përfundimtar për dhënien në shfrytëzim të hapësirës për festivalin”.
Kryebashkiaku Erion Veliaj ka postuar dhe mesazhin e organizatorëve të këtij festivali. “E njëjta datë, e njëjta përvojë e bukur, vendndodhje e ndryshme! Këtë gusht (për shkak të vonesave nga autoritetet në sigurimin e licencave të nevojshme për vendndodhjen), jemi të detyruar të shkojmë në Tiranë. Ne duam të informojmë të gjithë mbajtësit tanë të biletave se biletat e tyre janë të vlefshme për Sunny Hill Festival 2022 – Tirana Edition, ndërsa ata që nuk mund të marrin pjesë në Festivalin në Tiranë, do të mund të rimbursojnë biletat e tyre. (Rimbursimi do të realizohet nga 1 korriku deri më 15 korrik. Më shumë detaje dhe udhëzime do të jepen në ditët në vijim.)”, thuhet nga organizatorët.
Prishtinasit e kosovaret jane edhe tiranas, ne gezime e sfida do te jemi bashke si shqiptare te mire, sot ne Tirane neser ne Prishtine, por gjithmone NJE – GJITHMONE BASHKE! 🇦🇱❤️🇽🇰 https://t.co/qhv4fytHxA
— Erion Veliaj #B40Presidency 🇪🇺🇦🇱 (@erionveliaj) June 14, 2022