Frymëzimin për punën e gjeni tek këta artistë shqiptarë (FOTO)

Këngëtarët kanë punën më të bukur dhe më të thjeshtë në botë. Gjykuar në sipërfaqe, ata kanë një talent të falur nga nëna natyrë, punojnë me këtë talent dhe në fund të ditës paguhen. Gjykuar në sipërfaqe, e përsërimin, sepse suksesi është vetëm 1% talent dhe 99% punë. E thënë gjithë kjo për t’ju prezantuar me shembullin e disa artistëve shqiptarë më punëtorë (sipas nesh) gjatë këtij viti dhe së fundmi. Kur të lexoni gjithë ç’kanë bërë në më pak se një vit, ndoshta do të frymëzoheni për të punuar më fort për karrierën tuaj.

Ermal Fejzullahu

Ermal Fejzullahu, si baba i tre fëmijëve dhe së shpejti i katërt, pasi bashkëshortja është shtatzënë, ndoshta i ka pak më të rralla videoklipet, pasi kërkojnë më tepër përkushtim, megjithatë këngëtari është aktiv në shumë koncerte, brenda dhe jashtë trojeve shqiptare. Pas periudhës së artë të Top Fest, Ermali pësoi një pauzë, megjithatë u pozicionua menjëherë në treg falë bashkëpunimeve me reperë të rinj e të talentuar, si Lumi B apo Ledri Vula. Përpos koncerteve, Ermali ishte pjesë e këngës “Tela” së bashku me Kidën, ndërsa dje publikoi këngën “M’ke harru” ft. Ledri Vula.

Noizy

Që pas bujës së “Toto” verën e shkuar, u duk sikur Noizy “u zhduk”, por të mos qenurit prezent me këngë, nuk do të thotë se reperi nuk punon. Përpos menaxhimit të bizneseve të tij, Noizy po punon për një album që pritet të publikohet së shpejti. Po kështu, në vetëm një muaj realizoi dy videoklipe, “New Benz” dhe së fundmi “Nuk kan besu”.

Kida

Puna për t’u rikthyer sërish me projekte muzikore pas mbylljes së një kontrate dhjetë vjeçare me kompaninë “On Records” që e menaxhoi për një dekadë, sigurisht që duhet të ketë qenë sfilitëse për Kidën. Nën trysninë për t’u rikthyer sa njësoj aq edhe ndryshe, Kida ia doli që përpos koncerteve të shumta, të realizonte këngë të tjera, fillimisht me Lyrical Son,”Deja Vu” dhe menjëherë më pas të sillte “Tela”, në bashkëpunim me Ermal Fejzullahun. Si pasojë e punës së vazhdueshme, këngët e Kidës qëndrojnë në Top10 e hiteve të verës.

Dafina Zeqiri

“Kurrgjo nuk kallxojna”, “ALO”, “A e man n’men”, “ROFE”, “La Reina” dhe së fundmi “Lule Lule” janë këngët e sjella me videoklip nga Dafina brenda më pak se 10 muajsh. E pranishme në koncerte të shumta, Dafi i është përkushtuar muzikës me kohë të plotë dhe nisur nga postimet në Instagram, këngëtarja ka kohë që nuk pushon. Ndonëse shkëputja gati një vjeçare pas qëndrimit në Amerikë e largoi ndjeshëm nga tregu muzikor, gjatë 2019-s Dafina ka punuar fort për të rifreskuar repertorin e saj.

Tuna

Tuna solli një album të tërë, “Fortuna”, këngët e të cilit janë padyshim një moment i ri në karrierën e saj, që shënon një kthim të fillimeve të karrierës së këngëtares, kur bashkëpunonte me Armend Rexhepagiqin dhe Aida Barakun. Pasi përfundoi punën me albumin, Tuna u tregua e zgjuar dhe bashkëpunoi sërish me Armendin dhe Aidën dhe tre ditë më parë solli “Nuk ma do zemra”, këngë që është pritur mirë nga publiku.

Capital T

Disa nga këngët që Capital T ka publikuar së fundmi janë “Kujtime”, “Drama”, “200 Ditë”. Po kështu ishte pjesë e këngës së Elvana Gjatës, “Fustani”, dhe vetëm pak ditë më parë solli një tjetër projekt, “Sytë e tu”. Përpos koncerteve të zakonshme, reperi po përgatitet prej kohësh për një koncert të mirëfilltë, i cili do të mbahet në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë, më 19 shtator. Thuhet se ky do të jetë një super organizim dhe do të shënojë një moment të rëndësishëm në karrierën e tij.

Ledri Vula

Pasi ishte pjesë e këngëve “Creep on Me” me Gashin dhe “Menemadhe” me Lyrical Son dhe Mc Kreshën, Ledri e zgjeroi repertonin e tij me “Rio”, solli një tjetër bashkëpunim me Lumi B, “Kiss Kiss”, ndërsa pak kohë më pas, publikoi “MEM”, ndërsa një ditë më parë, “M’ke harru” me Ermal Fejzullahun. Huh. Goxha punë në kaq pak kohë.

Tayna

E gjithë karriera e Tayna-s nisi me një cover të këngës “Thirri krejt shoqet” të MC Kreshës dhe Lyrical Son dhe pothuajse një vit më pas, reperja sjell një bashkëpunim me ta. Sukses i padiskutuar. Të gjitha këngët e saj, nëse nuk gabojmë me numërimin, kapin shifrën 10. Pra, me një llogaritje të thjeshtë, gati një këngë e re për një muaj e pak. Është e lehtë të të përfshijë “mallkimi i famës”, por duket se Tayna qëndron me këmbë në tokë për aq kohë sa të gjitha këngët e saj kanë rezultuar të suksesshme. Edhe pse emri i saj ishte më i përmenduri (jo për mirë) nga pothuajse të gjitha reperet e tjera, Tayna u përgjigj me moskokëçarje duke u përqëndruar vetëm te këngët dhe koncertet. Këto të fundit, janë aq të shpeshta sa Tayna performon edhe në 3-4 klube brenda një nate. Lodhjen merreni me mend vetë.

Elvana Gjata

Duket sikur është publikuar dje, por ka kaluar një vit e pak pas albumin EP “3” dhe koncertit recital të Elvanës. Përpos kësaj dhe koncerteve pafund, këngëtarja ka sjellë disa projekte muzikore dhe ka qenë e pranishme në disa festivale të rëndësishme si “Alba Festival” dhe “Sunny Hill”, performanca e të cilët ka qenë e jashtëzakonshme, shoqëruar me koreografi, puna për të cilën sigurisht që ka kërkuar kohën e vet. Sigurisht që nuk mund të mos përmendin filmin “Dy gisht mjaltë”, që prezantoi Elvanën si aktore. Më pas, ajo solli “Tavolina e mërzisë”. Një muaj më parë, bashkëpunimi i dytë me Capitalin pas “Lejla”, “Fustani”, u dëgjua kudo. Por një bashkëpunim tjetër që surprizë, ai me Ardian Bujupin, “Meine Liebe”. Kur u duk se Elvana nuk do të publikonte më hite vere, këngëtarja prezantoi dje “A m’don”.

Burimi: Anabel

SHKARKO APP