GËZUAR 2017 nga Sonila Meço: Familjes i shkon gjithë kjo atmosferë
Nga Albina Gjergji
Gazetarja, moderatorja dhe opinionistja Sonila Meço, e njohur nga publiku shqiptar për natyrën e thellë psikologjike gjithë atmosferën e bukur që festat e fundvitit dhurojnë ia dedikon familjes së saj.
“Me ngarkesën e rendjen e përditshme, kur vijnë festat e fundvitit i gëzohem pushimit. Frenojnë të gjithë nga pak, qeshin më shumë, çlirojnë ambiciet. Për të mos folur për aromat që na ngacmojnë miden. Ndaj nuk do të doja asgjë më shumë, veçse të rrija edhe pak me ata që m’i do shpirti. Familjes i shkon gjithë kjo atmosferë, të cilën nuk arrijmë t’ia japim me gjithë dëshirën në ditët e tjera të vitit. Ndaj edhe shqiptarëve u uroj mençurinë e fatin për të sistemuar mirë jetën e prioritetet, për të lënë vend mjaftueshëm në këtë kohë të çmendur e të pamjaftueshme për çfare na bën vërtetë të lumtur, për çfare na mbush shpirtin e qetëson pasiguritë”- tha Sonila Meço në prononcimin e saj për gazetën “Koha Jonë”.