GËZUAR nga artistët, gazetarët dhe politikanët shqiptarë…
Ku do e kalojnë Natën e Ndërrimit të Viteve VIP-at shqiptarë, me kë dhe si e kanë organizuar ata Darkën e Fundit të 2016-ës
Albina Gjergji
Edhe pak orë na ndajnë nga 2017-ta dhe nga një vit aktiv që jetuam presim të startojmë një tjetër me shpresën se do të jetë më i mirë se ky që po lëmë pas. Gjatë 2016-ës kanë ndodhur ngjarje nga më të ndryshmet në jetën e gjithsecilit prej nesh. Kemi përjetuar emocione të forta, gëzime, sfida, trishtime, momente suksesi në punë a familje. Kemi marrë urime datëlindjeje, lindjeje, por… edhe ngushëllime për ata që fatkeqësisht nuk janë më. Pra, 2016 ka rrokur shumë ngjarje në 365 ditëshin e saj e përtej faktit që i mbeten shumë pak orë për të na plotësuar “dëshirat” e premtuara në kohë, le të shpresojmë në atë që, çka nuk na i solli këtë vit, 2017-ta na i sjelltë të dyfishuara. Gëzimet në familje, sukseset në punë dhe dashurinë për njëri-tjetrin në raportet e përditshme njerëzore.
Artistët dhe gazetarët kanë rezervuar një urim për të gjithë shqiptarët. Edhe politikanët gjithashtu!
Në disa prononcime për gazetën KOHA JONË, veç urimeve, Mirush Kabashi, Jozefina Topalli, Astrit Patozi, Blendi Fevziu, Mimi Kodheli, Flamur Noka, Erjon Braçe, Petro Koçi, Ylli Manjani, Sonila Meço, Agron Duka, Julian Deda, etj. tregojnë edhe se ku, apo me kë do e presin Natën e Ndërrimit të Viteve.
Astrit Patozi
Deputeti i Partisë Demokratike, Astrit Patozi për gazetën “Koha Jonë” tregon se, përtej faktit që Natën e Vitit të Ri do ta kalojë me të afërmit, festat nuk ia përcakton kalendari. Sipas tij festë quhet një ditë e kaluar bukur mes miqsh të mirë. “Do të qëndroj në shtëpi me njerëzit e mi të afërt, por ky “vendim” nuk ka të bëjë, as me vështirësitë e opozitës, e aq më pak me moshën, së cilës i shtohet një vit më shumë. Thjesht, që “i vogël” e kam pasur bezdi që festat të m’i përcaktojë kalendari. Kam dashur gjithmonë që për ato të vendos vetë dhe unë festë quaj një ditë të kaluar bukur mes miqsh të mirë. Pak rëndësi ka koha dhe vendi. E tillë shpresoj të jetë edhe ditë – nata e ndërrimit të viteve”.
Blendi Fevziu
Orët e fundit të 2016-ës edhe gazetari Blendi Fevziu do t’i kalojë me familjen. Por, veç këtij detaji që na e zbulon plot mirësjellje ai nuk harron të përshëndesë dhe urojë shqiptarët kudo që gjenden. “Natën e Ndërrimit të Viteve sigurisht do e kaloj me familjen time në shtëpi këtu në Tiranë. Do dëshiroja të uroja me zemër shqiptarët e mi, që t’ia kalojnë sa më mirë në natën e ndërrimit të viteve dhe të kenë suksese gjatë gjithë 2017-ës. Do të jetë një vit jo i lehtë, flas jo vetëm politikisht, prandaj shpresojmë të kemi shëndet e mbarësi në të gjitha aspektet”, shprehet moderatori i emisionit “Opinion”.
Mimi Kodheli
Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli ndryshe nga disa prej politikanëve tanë, të cilët festojnë jashtë vendit Natën e Vitin të Ri, ajo ka preferuar ta kremtojë gjithmonë në Shqipëri. Këtë e zbulon vetë ajo në prononcimin dhënë për KJ. “E kam festuar gjithmonë në Shqipëri dhe me familjen time të shtrenjtë Ndërrimin e Viteve. S’do mund të jetë ndryshe këtë vit. Përshumëvjet e në gëzime të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen! Gëzuar edhe gazetës Koha Jonë”, përfundon ministrja me urimin e saj.
Mirush Kabashi
I dekoruar me çmimin “Nderi i Kombit” dhe i njohur kombëtarisht si një nga interpretuesit më të mëdhenj të poezisë në Shqipëri, aktori Mirush Kabashi për Koha Jonë tregon se ku dhe me kë do ta festojë Vitin e Ri sivjet. “Vitin e Ri do ta festoj me familjen time në Durrës, së bashku me familjet e disa prej miqve të mi të rinisë në breg të detit, në një lokal të mrekullueshëm, “Bleart”, pronë e një tjetër miku familjar”, shprehet Kabashi, ndërsa uron shqiptarët që t’i shpenzojnë energjitë e tyre në krijimin e të mirave materiale nëpërmjet punës së ndershme, duke shmangur në maksimun abuzimet me përfitime të pista, si dhe konfliktualitetin dhe agresivitetin e përkatësive politike! “Ndërsa admiruesit e artit, do t’i siguroja se vetëm nepërmjet artit, kulturës… e pse jo, besimit të vërtetë fetar, ne mund të formojmë atë mentalitet e ndërgjegjësim, që do të na bëjë natyrshëm pjesë të familjes së madhe Europiane”, mbaron mendimin e tij aktori i madh.
Flamur Noka
Një nga “rebelët” e Partisë Demokratike, Flamur Noka, që me reagimet e tij të forta jo pak herë “zgjon nga gjumi rivalët”, do të jetë ta festojë në shtëpi datën 31 dhjetor. “Unë përgjithësisht festoj me familjen në shtëpi dhe Shqipëri. Jam atdhedashës dhe dëshira ma do të kremtoj në vendin tim, përjashto rastet kur prindërit më kërkojnë të festojnë me fëmijët e mi. Atëherë “detyrohem” të iki jashtë tek ata.
Sonila Meço
Gazetarja, moderatorja dhe opinionistja Sonila Meço, e njohur nga publiku shqiptar për natyrën e thellë psikologjike gjithë atmosferën e bukur që festat e fundvitit dhurojnë ia dedikon familjes së saj. “Me ngarkesën e rendjen e përditshme, kur vijnë festat e fundvitit i gëzohem pushimit. Frenojnë të gjithë nga pak, qeshin më shumë, çlirojnë ambiciet. Për të mos folur për aromat që na ngacmojnë miden. Ndaj nuk do të doja asgjë më shumë, veçse të rrija edhe pak me ata që m’i do shpirti. Familjes i shkon gjithë kjo atmosferë, të cilën nuk arrijmë t’ia japim me gjithë dëshirën në ditët e tjera të vitit. Ndaj edhe shqiptarëve u uroj mençurinë e fatin për të sistemuar mirë jetën e prioritetet, për të lënë vend mjaftueshëm në këtë kohë të çmendur e të pamjaftueshme për çfare na bën vërtetë të lumtur, për çfare na mbush shpirtin e qetëson pasiguritë”.
Petro Koçi
Duke e konsideruar stinë të mbarë kombëtare fundvitin e ‘90-ës, zëvendësministri i Mbrojtjes, Petro Koçi u uron shqiptarët një 2017 plot jetë e dritë. “Uroj thjesht një vit plot jetë e dritë per shqiptarët kudo ku që janë. Fundi i viteve ‘90-të e këtej ka shënuar një periudhe ririlindjeje për kombin tonë. Le të vazhdojë kjo stinë e mbarë kombëtare. Vitin e Ri si gjithmonë e pres në vatrën familjare”, shprehet z. Koçi.
Ylli Manjani
E ndërsa emrat dhe personalitetet e mësipërme u treguan më bashkëpunues e të përfshirë në përgjigjet e pyetjeve që ju drejtuam, ministri i Drejtësisë, z. Ylli Manjani shfaqet më “dembel”, ndoshta edhe disi “kundër rrymë” në prononcimin e tij për “Koha Jonë”. Ai tregon më pak fjalë që Nata e Ndërrimit te Viteve do ta gjejë pranë oxhakut të shtëpisë së tij. “Te oxhaku im dhe do të fle si gjithmonë”.
Agron Duka
Përfaqësuesi i Partisë Agrare dhe Ambientaliste, z. Agron Duka është akoma i pavendosur lidhur me celebrimin e momentit të Ndërrimit të Viteve. “Akoma nuk e kam vendosur se ku do ta festoj këtë herë Vitin e Ri”, thotë Duka për Koha Jonë!
Jozefina Topalli
Ish kryeparlamentarja, Jozefina Topalli, aktualisht deputete e Partisë Demokratike si çdo fundvit do të bëjë Gëzuar me familjen e saj. “Natën e Ndërrimit të Viteve do e festoj me familjen time në Shqipëri”, tregon ajo.
Erjon Braçe
“Natën e këmbimit të viteve, do ta kaloj si gjithnjë me prindërit, në shtëpinë time”, na thotë Erjon Braçe, një politikan, mjaft aktiv në Partinë Socialiste, pjesë e së cilës është prej shumë vitesh. “Nuk do ta ndërroj këtë “zakon” asnjëherë. Me ta do e mbyll vitin, me ta do e nis”, përfundon Braçe.
Julian Deda
I karakterizuar nga thjeshtësia dhe humori fin, shkodrani Julian Deda ka një urim mjaft origjinal për dashamirësit e tij dhe popullin shqiptar në përgjithësi. “Natën e Ndërrimit të Viteve do ta kaloj këtu në Tiranë me familjen time edhe për shkak të angazhimeve të mia në dy evente e që më duhet të jem i pranishëm. Pra nuk mund të lëviz nga shtëpia. Kështu që do ta kaloj këtu, ngrohtë, bukur, pa shumë shpenzime dhe pa shumë vare-vingo. Ndërkohë dua t’u uroj të gjithë lexuesve, apo mbështetësve të medias suaj të nderuar, Koha Jonë… Gëzuar Vitin e Ri, të jetë një vit i mbarë, 2017-ta i gjettë me buzë në gaz shqiptarët, me xhepat pak më plot se 2016 dhe ajo që ka më shumë rëndësi, me shumë shëndet, harmoni në familje dhe të kenë çdo gjë të mirë që ata dhe ne meritojmë. Kështu që, gëzuar, gëzuar, gëzuar. Ju kam shumë xhan”.