Grimierja e njohur Eni Lena: Bukuria është energjia që vjen nga shpirti dhe rrezaton përmes lëkurës dhe fytyrës
Intervistoi Nilda Halili:
Eni Lena është ndër Make Up artistet më të suksesshme në trojet shqiptare. Arti që ajo bën me duart e saj, është definicion i mjeshtërisë estetike, kulminacion i bukurisë femërore. E kuptoi që ishte e prirur për këtë profesion që kur ishte ende e vogël, e sot që numëron mbi 17 vite eksperiencë, Eni zbulon se përkushtimi dhe pasioni janë dy elementet kryesore që të çojnë drejt suksesit. Kreative në çdo punë të sajën dhe gjithmonë e gatshme për të provuar gjërat e reja. Në një intervistë për Gazetën “Koha Jonë” ajo zbulon detaje si ka nisur karriera e saj si Make Up artiste dhe po ashtu tregon për sfidat nëpër të cilat ka kaluar.
Si ka nisur dëshira për tu marrë me make up? Kur vendosët “në rregull, kjo është ajo që unë dua të bëj, një profesioniste grimi”?
Dëshira për tu marrë me make up ka nisur që fëmijë. Ashtu si të gjitha vajzat më pëlqente të grimohesha, të eksperimentoja me flokët. Kjo gjë u vë re dhe nga shoqet e mia, të cilat vazhdimisht kërkonin t’i rregulloja unë. Por gjithçka nisi në Top Channel, kur unë isha 20 vjeçe. Aty kuptova që kjo është puna që unë dua të bëj, një make-up artist. Tashmë u bënë rreth 17 vite që ushtroj këtë profesion tepër të bukur.
Sa i vështirë ka qenë rrugëtimi juaj për të arritur këtë emër që keni sot?
Mendoj se asnjë karrierë nuk mund të jetë e suksesshme pa kaluar në vështirësi. Fillimi patjetër ka qenë shumë i vështirë, kjo pasi unë kisha vendosur të ndërtoja një emër, të sillja diçka të re, në një vend që kultura e Make Up-it nuk njihej shumë. Me kalimin e kohës mësova se ky profesion kërkonte përgatitje në të gjitha aspektet, të paktën më shumë se sa duket. Edhe pasi e zotëron, serish e kupton që vështirësitë nuk mbarojnë. Duhet të jesh energjik, i kthjellët, të kesh shumë fantazi, shumë durim, guxim, të bësh gjithnjë e më shumë investime për të mbetur e para. Çdo profesion, i cili bëhet me pasion si dhe me ambicie për të patur sukses, pa dyshim ka edhe sfidat e veta.
Ju keni një karrierë të suksesshme dhe talenti juaj është spikatur që në fillim, por çfarë ju veçon nga artistët e tjerë të grimit?
Kam tre fëmijë, (qesh). Nuk bëj kompromise. Mundohem të sjell trendet e fundit, të jem e para kur bëhet fjalë për cilësi. Tek unë nuk vijnë vetëm për make up, bashkë me klientin zbukurojmë edhe ndodhitë e jetës. Sallonet në përgjithësi janë vatër thashethemesh që ndonjëherë bëjnë dëm. Tek unë nuk ndodh, kemi shumë gjëra të tjera të bukura për të ndarë. Klientet i konsideroj bashkëpunëtore dhe sa herë kam fantazinë time në make-up guxoj ta aplikoj direkt te klienti.
Çfarë është bukuria për ju?
Për mua bukuria është energjia që ne të gjithë posedojmë, që vjen nga shpirti dhe rrezaton përmes lëkurës dhe fytyrës.
Në një marrëdhënie në çift vlen shprehja “pas një burri të suksesshëm është një grua e fortë dhe e përkushtuar”ndërsa pas një shkëlqimi të një personazhi televiziv sado të suksesshëm fshihet dora e një make up artisti.
Në rastin tim, pas një grua të suksesshme qëndron një burrë fisnik. Ndërsa për pjesën e dytë të pyetjes, jam 100 % dakord, është edhe një dorë artisti aty.
Sa koshient janë artistët ose personazhet e njohur të ekranit për këtë gjë dhe sa ju vlerësojnë? A janë mirënjohës?
Angazhimi im është maksimal për çdo artist apo personazh publik dhe këtë e shoh tek befasimi i tyre kur shohin në pasqyrë të gjithë pamjen finale. Janë të vetëdijshëm për faktin se kur dalin nga unë e kanë plotësuar maksimalisht imazhin e tyre. Janë tepër mirënjohës dhe herë pas here kam marrë shumë komplimente, disa arrijnë dhe në deklarata dashurie. Ndodh ndonjëherë për arsye të ndryshme që nuk kënaqen, uroj që mos të jem unë shkaku.
Ju punoni me personazhe shumë të njohur të ekranit, por nga ana tjetër keni dhe një klientelë që nuk janë të fytyra të njohura, por duan magjinë e ndryshimit që ua dhuroni ju. Si i ruani këto balanca?
Edhe “Vipat” dikur kanë qenë njerëz të thjeshtë, duke patur parasysh këtë nuk kam bërë asnjëherë dallime. Kam të njëjtin përkushtim për të gjithë, aq më tepër kur shoh që më besojnë.
Vitin që shkoi ju patët një eksperiencë televizive në Top Channel, po këtë vit, ku do ta shohim Eni Lenën?
Televizioni vitet e fundit ka një qasje pozitive ndaj Make-Up Artistëve, pasi edhe hapësirat janë më të mëdha. Natyrisht kam patur ftesa dhe projekte të ndryshe, por preferoj mos t’i zbuloj tani për tani. Ja lëmë momentit.
Këshillat tuaja për artistët e rinj të grimit të cilët sapo kanë filluar dhe duan të jenë në krye të industrisë?
Të përkushtohen sa më shumë, si në çdo fushë të jetës të mësojnë nga gjithçka, të qëndrojnë me këmbë në tokë, të guxojnë, të përvetësojnë çdo gjë të re sepse bota lëviz me shpejtësi të madhe. Të përdorin imagjinatën për të qenë sa më origjinal, kopja mund të jetë e bukur po nuk është e jotja. Të kenë parasysh që suksesi nuk arrihet menjëherë, shkallët ngjiten një e nga një. Të përdorin shpirtin dhe duart për të realizuar një imazh dhe të punojnë me rrjetet sociale për tu evidentuar. Sot para se të trokasin në sallonin tënd, duan të konfirmojnë nëpërmjet Instagramit, talentin dhe kreativitetin.
A keni ndonjë make up artist të preferuar shqiptar?
Ka shumë artistë të rinj dhe të vjetër që më pëlqejnë në aspekte të ndryshme. Mund të ketë ndonjë që më pëlqen pak më shumë po nuk dua të bëj dallime. Unë jam më shumë tifoze me artistët e rinj.
Mes yjeve shqiptare në skenën ndërkombëtare, Rita Ora, Dua Lipa, Bebe Rexha, Era Istrefi dhe Ava Max, cila sipas optikës suaj ka “make up-in” më të mirë?
Do veçoja pak më shumë Dua Lipën sepse mendoj që nxjerr në pah tiparet e saj me atë që e karakterizon. Qëndron tek linja e pastër e make-up-it dhe ruan freskinë e saj, ky një sekret që ajo tashmë e di dhe e përdor tek vetja. Për më tepër, duke qenë se është një artiste me famë botërore por mbi të gjitha shqiptare, ndikimi i saj në botën e tejmbushur me artistë që gabojnë dhe japin “modele” të gabuara, Dua Lipa jep pikërisht këtë diferencë të imazhit të pastër i cili mbetet në mendjen e gjithsecilit.
Cilën nga VIP-at e huaj do të doje të kishe në karrigen tënde?
Do doja të kisha Madonnën që ta grimoja në atë mënyrë që kur ta shikoja të më kthente nostalgjinë e atyre kohërave rinore të bukura që kam kaluar, duke e parë në TV. Edhe Lady Gagën, të bëja ndonjë make up të “çmendur” siç vetëm asaj i shkon, apo Galën e vogël për t’i treguar vetes që çmendurira të tjera na presin.
https://arkiva.kohajone.com/make-up-artistja-eni-lena-transformon-gazetaren-e-koha-jone/