Ia dinim mbesë, Anaidi i BB6: E kam vajzë, e mora vesh kur…(VIDEO)
Anaid Kaloti, fitues i Big Brother 6, ishte i ftuar pasditen e sotme në “Ftesë në 5” për të folur në lidhje me jetën e tij personale dhe projektet e ardhshme. Teksa në ekran shfaqeshin fotot e Anaidit me “mbesën”, Bieta Sulo e pyeti më shumë në lidhje me raportin e tyre. ”Është e vetmja femër që unë dashuroj pa kushte”. Bieta vuri në dukje faktin se Anaidi është shumë i lidhur me Klean, vogëlushen 3-vjeçare, sa duket sikur ai është gati për t’u bërë baba. Afërmendsh që moderatorja u përpoq ta pyeste rreth jetës personale, por ja që rrjedha e bisedës mori tjetër drejtim.
Me një nënqeshje, paksa në siklet, Anaidi vazhdoi: ”Klea ka ardhur në jetë si një dhuratë midis dy njerëzve që nuk e donin aq shumë njëri-tjetrin. Me mamanë e Kleas unë nuk kam ndonjë marrëdhënie”. Bieta: ”Një sekondë, Klea është vajza jote?”. Anaidi dhe vogëlushja tre vjeçare shiheshin shpesh në shoqërinë e njëri-tjetrit. Ndjekësit dhe portalet i referoheshin Kleas si mbesa e tij. Fituesi i BB6 nuk tha kurrë që është mbesa, por as bëri me dije se është bërë baba.
Ai tregoi se me nënën e Kleas pati një histori të shkurtër, nga e cila erdhi në jetë vajza. ”Ajo mikëpritet nga unë dhe familja ime. Dhurata që na solli Zoti na bëri që të afrohemi më shumë”. Në përfundim të intervistës, ai theksoi se e mori vesh që ishte bërë baba kur Klea ishte 1-vjeç. “E njoha kur ishte 1-vjeç, sepse nuk më tregoi njeri. Nuk e dija që ishte shtatzënë. Nuk kishte faj, por nuk do të doja ta komentoja sepse ndoshta nuk i pëlqen. Ajo ka sakrifikuar edhe jetën e vet, pasi po rrit një fëmijë pa baba afër. Ka luftuar shumë fort. Ditën e ditëlindjes më mori në tel dhe më tha që isha bërë baba”. “Kam humbur ato momentet e para, por kam fituar një dhuratë, falë nënës së saj. Është krijuar një ndjenjë e re mes nesh, nga nëna e Kleas sot e kam si motër”. /Anabel/