Ikonomi përlotet për Françesk Radin: Sot e kësaj dite më mungojnë kritikat
E ftuar në emisionin “Historia ime”, Tv Klan ka qenë Mariza Ikonomi, një ndër këngëtaret më të dashura të muzikës shqiptare dhe e dalluar gjithmonë për zërin e saj të ëmbël, në muzikë dhe në komunikimin e përditshëm. E talentuar, e dashuruar me muzikën, ajo ka guxuar të interpretojë në të gjitha zhanret e muzikës.
Prej më shumë se 20 vitesh në skenën shqiptare, portreti i saj i buzëqeshur ka mbetur i pandryshuar. Gjatë intervistës me moderatoren Mirela Milori, u përmend dhe kënga e saj me Françesk Radin “Telefonatë Zemrash”.
Mariza e përlotur shprehet se e ka të vështirë të dëgjojë këngën e saj me Françesk Radin edhe pse i përcjell emocione. Ajo ende nuk e beson se Radi ka humbur jetën. Përveçse një mentori, Françesk Radi ka qenë shumë pranë Marizës, e ka ndihmuar shumë në karrierën e saj në muzikë. Këngëtarja shprehet se do jetë gjithmonë falenderuese ndaj tij sepse i ka lënë kujtimin më të bukur të fëmijërisë. Ata janë takuar edhe në vazhdimësi, punonin dhe ishte një nga kritikët më të mëdhenj të Marizës ndër vite në muzikë.
“Gjithmonë takoheshim dhe flisnim për problemet e muzikës. Çdo gjë të re që unë bëja ia tregoja. I pari që ia tregoja ishte profesori dhe gjithmonë e dija që nuk do merrja atë rezultat që prisja, sepse dihet që familja, mami më thoshin ti je më e mira. Profesori t’i thoshte gjërat ashtu siç ishin dhe ndonjëherë ishte dhe i sertë dhe shumë kërkues dhe unë i vlerësoja kritikat e tij. Sot dhe kësaj dite më mungojnë kritikat e tij sepse mungojnë artistë që të thonë mendimet e sinqerta. Ishte krijuar një raport i bukur, profesional-miqësor saqë vështirë ta thyesh”, shprehet Mariza.