Iku me të fejuarën në Zvicër, Seldi e braktis dhe kthehet pas dy muajsh

Dy muaj pas fejesës me Mimoza Shkodrën, këngëtari Seldi Qalliu flitet se ka hequr dorë nga bashkëjetesa në Zvicër me këngëtaren, për t’u rikthyer në Tiranë.

Nuk dihet çfarë e ka detyruar Seldin që vendosë të mos jetojë në një shtëpi me Shkodrën, me të cilën direkt pas fejeses realizoi klipin “Dashni”, me një fabul dedikuar historisë së tyre.

Mediat e Kosovës dhanë lajmin se, çuditërisht, Seldi është rikthyer në Shqipëri pas disa muajsh qëndrimi në Zvicër pranë të fejuarës së tij, por jo bashkë me të.

Një opsion është se mbase angazhimet e këngëtares e penalizuan që ajo ta shoqëronte të fejuarin e saj në vendin e tij të lindjes, kur dihet se, përveç muzikës, Mimoza ushtron edhe një profesion tjetër krejtësisht larg artit, si teknike e laboratorit dentar. Seldi dhe Mimoza u fejuan në një darkë private në Zvicër, në mes të tetorit.

Pas fotove në plazh afër njëri-tjetrit, çifti shkëmbyen unazat, për të nisur pas kësaj bashkëjetesën në Zvicër. Lajmin e fejesës së këngëtarit e dha për mediat e Kosovës menaxheri i Seldit, Avni Selimi. Për këngëtarin dhe ish- lojtarin e “Big Brother”, kjo ishte fejesa e dytë, pas asaj me Dafina Zekën.

30-vjeçari e mbajti të fshehtë lidhjen me artisten 2 vite më të madhe në moshë. Ishte vetë Seldi ai që ndau i pari me miqtë fotot çift nga Zvicra, duke konfirmuar kështu lidhjen mes tyre. Nuk vonoi shumë, dhe vetë Seldi dëshmoi se marrëdhënia e tyre ishte serioze pasi u fotografuan me familjarët e njëri-tjetrit, pikërisht me motrën e Mimozës dhe partnerin e saj.

Po si lindi historia e dashurisë së Seldit me këngëtaren e hitit “Ndarja”? Kjo lidhje bëhet publike dy vite pas ndarjes së këngëtarit nga e fejuara e parë, që jeton në Suedi, Dafina Zeka. Lidhja e tij me Mimozën lindi nga miqësia si kolegë pesë vite më parë, kur ata bashkëpunuan për duetin “Pare, pare”.

Në atë kohë, këngëtari dhe ish-lojtari i “Big Brother” Seldi ishte i fejuar me vajzën e gazetarit të njohur nga Kosova, Milaim Zeka, fejesë që zgjati jo pak, por pesë vite. Ajo ishte marrëdhënie në distancë pasi Dafina jeton në Suedi, dhe shpesh ajo udhëtonte në Tiranë për të takuar të fejuarin.

Thuhet se koncertet e përbashkëta me Mimozën bënë që Seldi të afrohej me të shumë, duke u larguar kështu nga Dafina. Nuk dihet saktë nëse kjo lidhje e re ka ndikuar në prishjen e marrëdhënies me ish-të fejuarën. Me Mimozën ai është parë dhe fotografuar shpesh që nga viti 2012./Panorama Plus

SHKARKO APP