”Jam në ankth”, mësohet qëndrimi i Gjestit në gjyq: Kërkoj falje
Këngëtari Gjesti doli këtë të premte para Gjykatës, ku ka deklaruar se veprimet për të cilat dyshohet i ka kryer në gjendje emocionale dhe ka kërkuar falje për rastin. Në dosjen e Prokurorisë të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Gjesti ka kërkuar falje të dëmtuarit dhe gjykatës, duke thënë se gjithë veprimet e tij i ka ndërmarrë në afekt.
“Pajtohem me deklarimin e avokatit tim, dua ta njoftoj gjykatën se jam në ankth, kam vepruar në gjendje të afektit. I kërkoj falje gjykatës, prokurorit si dhe palës së dëmtuar”, ka deklaruar Kelmendi gjatë seancës.
Avokati i Kelmendit ka deklaruar se sipas përvojës jetësore dhe psikologjisë, kur një person reagon në mënyrë impulsive, zakonisht pas një kohe të shkurtër nuk ekziston rreziku që veprimi i njëjtë të përsëritet. Sipas tij, duhet të merret parasysh edhe fakti se për këtë rast është bërë bujë e madhe publike dhe se i dyshuari është në dijeni se ndaj tij po zhvillohet hetim.
Mbrojtja ka theksuar gjithashtu se, në bazë të nenit 159 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, i cili përcakton parimin e proporcionalitetit në caktimin e masave të sigurisë, paraburgimi nuk do të ishte masë proporcionale. Sipas Artan Qerkinit, avokat mbrojtës i Gjestit, për dy veprat e para për të cilat dyshohet Kelmendi parashihet dënim deri në një vit burgim ose edhe gjobë.

KOHA JONË SONDAZH

