Jennifer Aniston zbulon pse hapi profil në Instagram
Aktorja dhe producentja Jennifer Aniston zbuloi në “The Ellen DeGeneres Show,” përse vendosi që më në fund të hapë një profil në Instagram duke iu bashkuar platformës pas vitesh refuzimi.
“Është një nga ato gjërat që s’ka për t’u zbehur ndonjëherë, kupton? Kështu që pse të mos i bashkohesh festës? Nuk është dhe aq e frikshme. Mund të ndash informacion, të flasësh me fansat, të korrigjosh lajme, të bësh qejf, të bësh shaka me veten, me të tjerët. Të ndihmosh kafshët në nevojë,” tha aktorja.
Ndërsa kur Ellen i tha se ajo theu rekordin Guinnes, Aniston u përgjigj e buzëqeshur.
“Çmenduri, apo jo?”.
Kujtojmë se Jennifer Aniston hapi një profil personal në Instagram pak kohë më parë. Fotoja e saj e parë ishte një selfie me gjithë aktorët e “Friends” e cila u pasua me mijëra ndjekës, pëlqime dhe komente që shkaktuan bllokimin e aplikacionit.
Ndërkohë, Guinness World Records raportoi se Aniston theu rekordin për llogarinë në Instagram që arriti një milion ndjekës në kohën më të shkurtër, për pesë orë e 16 minuta.
Ky rekord më parë mbahej nga profil zyrtar në Instagram i Dukës dhe Dukeshës së Sussex, Princ Harry dhe Meghan Markle. Ata arritën një milion ndjekës në prill, për pesë orë e 45 minuta. Momentalisht, Aniston ka 17.2 milionë ndjekës.