Këlliçi dhe Anna Shkreli rrëfejnë historinë e dashurisë: E prita të diplomohej në Itali, më pas më iku në Angli
Anna Shkreli dhe Belind Këlliçi kanë folur për raportin e tyre, momentet e bukura e të vështira dhe interesat që të dy kanë. Ata u ndalën edhe në njohjen e tyre, e cila ka ndodhur rreth 10 vite më parë në një bar në kryeqytet, por të dy e përcaktojnë ndryshe këtë moment.
”Unë quaj ditën e parë që u prezantuam përmes miqve të përbashkët, Anna ishte studente në Itali në atë kohë e ndërkohë unë isha kthyer, isha me punët e mia, sa kisha filluar në njëfarë mënyre edhe jetën edhe karrierën time politike në Tiranë dhe unë quaj këtë njohje të parë. Kurse Anna quan momentin kur jemi ulur realisht dhe kemi patur një bisedë të gjatë me njëri-tjetrin”,-tha Këlliçi.
Anna Shkreli u shpreh se marrdhënia me Belindin ka kaluar në provën e durimit, të pritjes dhe është konsoliduar gjithnjë e më shumë. Ishte pikërisht distanca për shkak të studimeve të saj në Itali, e më tej, masteri në Angli, një prej momenteve që provoi se sa e fortë dhe rezistente ishte ajo çka të dy kishin për njëri-tjetrin. Anna dhe Belindi, e pranuan se ajo çfarë i mbante bashkë ishte e fuqishme dhe kaloi provën e largësisë dhe pritjes.
”Historia ime me Belindin është një histori interesante sepse për mua është një histori që dëshmon faktin se sa e rëndësishme është që dikë edhe të dish ta presësh në njëfarë mënyre sepse unë kam qenë në Itali, pastaj jam kthyer shumë shkurt në Shqipëri, pastaj kam ikur prapë në Angli ku edhe siç e rrëfente edhe inserti, pastaj kam kryer eksperiencat e mia master dhe eksperiencat e mia me radhë. Në njëfarë mënyre, kjo është një marrëdhënie njerëzore e cila nuk ka ecur përpara duke u nxituar për të arritur diku, kjo është shumë e rëndësishme, më kupton. Është një marrëdhënie që ka ditur të presë dhe ka ditur t’i përballojë edhe ditët e mira, edhe ditët e këqija”,-tha Anna Shkreli.
Rudina Magjistari: Ta ka forcuar edhe më shumë sprovimin duke të sprovuar në njëfarë mënyre.
Belind Këlliçi: Po, më ka sprovuar, ngeli duke më sprovuar gjithë kohën.
Anna Shkreli: Pavarësisht se Belo mund mos ta ketë marrë si lajmin më të mirë të mundshëm, ai asnjëherë nuk ma peshoi këtë gjë. Asnjëherë nuk më tha që jo mos shko, as nuk bëhet fjalë, por as nuk më tha që mund të mërzitej. I vetmi reagim që pati pak më emocional ishte që më ka shkruar një letër para se unë të ikja të cilën unë e kam akoma dhe vetëm kjo, por aspak që unë të ikja me kokën mbrapa apo të mendoja që… Nuk kishte një reagim egoist dhe okej, që ti do ta shohësh tjetrin të rritet dhe nëse është e thënë të jetë, do jetë./tvklan.al/