Kritika e Rihannas ul vlerën e Snapchat për 800 milionë dollarë
Ylli i muzikës pop, Rihanna u ka kërkuar fansave që të fshijnë aplikacionin Snapchat, pasi rrjeti përmes një reklame bëri shaka me dhunën që Chris Brown kishte shfaqur ndaj këngëtares në vitin 2009. Të enjten dhe të premten, aplikacioni i fotografive ka vazhduar rënien në katër përqind të vlerës në bursë dhe sipas Wall Street Journal dhe CNN-it, këtij aplikacioni i ka humbur vlera për 800 milionë dollarë qëkur Rihanna kritikoi ashpër rrjetin përmes një postimi në Instagram. Snapchat përmes një reklame pyeti përdoruesit; “A do të zgjidhnit; ta godisni me shuplakë Rihannan”, apo “të grushtoni Chris Brown”? “Kjo nuk ka të bëjë me ndjenjat e mia personale, sepse nuk kam… por keni zhgënjyer të gjitha gratë, fëmijët dhe burrat që kanë qenë viktima të dhunës në të kaluarën. Turp. Fshijeni këtë aplikacion”, ka shkruar Rihanna në Instagram. Snapchat ka kërkuar falje dhe ka njoftuar se do të parandalojë që një gjë e tillë të përsëritet.