Krizë në familjen mbretërore
Nga: Arben Manaj
Nipi i Mbretëreshës dhe djali i vogël i princeshës së ndjerë Diana, ose vëllai i mbretit të ardhshëm të Anglisë, Princi Harry dhe gruaja e tij amerikane, njëherë e divorcuar, kanë vendosur të largohen nga jeta mbretërore, si anëtarë të lartë të monarkisë, për të filluar një jetë të re, me shumë gjasa në Kanada. Ky vendim, për të cilën Mbretëresha Elisabet dhe babai i princit nuk janë konsultuar paraprakisht ka shkaktuar një krizë të re në vazhdën e krizës së fundit me djalin e dytë të Mbretëreshës.
Çështja për Monarkinë është e komplikuar pasi ka shumë pikëpyetje se çdo të ndodhë me sigurinë fizike të çiftit jashtë familjes mbretërore, çdo të ndodhë me financat që marrin nga taksapaguesit britanike, apo edhe nëse do të mbajnë apo jo titujt mbretërorë pas këtij vendimi që media po e cilëson “Megexit”, duke fajësuar ndikimin e gruas amerikane të Princit si katalizatoren e këtij vendimi. Kjo që ka ndodhur nuk ka një precedent të tillë në kohët moderne, por gjithsesi është reminishencë në rastin e abdikimit në vitin 1936, të Mbretit Eduard i VIII, i cili hoqi dorë si Mbret nga Froni, pasi vendosi të martohej me amerikanen, dy herë të ndarë, Wallis Simpson.
Çifti fajëson edhe median britanike për presion, ndërkohë që kjo e fajëson amerikanen për përçarjen e shkaktuar në radhët e familjes, si prishjen e marrëdhënies mes dy vëllezërve, ku njëri, princi William, do jetë mbreti i ardhshëm i Anglisë, e tjetri princ i përjetshëm, i gjashti në radhë, apo për mosmirënjohjen për mikëpritjen që Monarkia e ofroj Megan Markel, duke e mirëpritur në gjirin e saj.
Mbetet të shihet se sido të mbijetojnë përtej Atlantikut çifti, edhe pse milioner ndërkohë, edhe sepse ekspertët mendojnë se ata do të fitojnë miliona nga paraqitjet publike, reklamat, publikimet. Harry dhe Megan kanë përzgjedhur lumturinë përpara detyrimeve mbretërore të cilat edhe pse mund të ishin të panjohura aq sa duhet për amerikanen, për Princin Harry ishin pjesë e AND-së së tij monarkiake. Edhe pse një zhvillim i jashtëzakonshëm, në një sens kjo që ndodh me familjen mbretërore dëshmon se ata kanë shumë të përbashkëta me sfidat dhe problemet e përditshme të shumicës së familjeve normale në këtë botë.