“Kujtoj gjithmonë puthjen e mëngjesit” , moderatorja e njohur flet për ndarjen e papritur nga jeta të babait të saj
Mbrëmjen e djeshme moderatorja Ori Nebijaj ishte e ftuar në programin “E ardhmja është vajzë” ku ka ndarë me publikun momentin më të vështirë të jetës së saj që ishte humbja e babait.
Ajo ka treguar për herë të parë se ndarja e tij nga jeta ndodhi në mënyrë të papritur dhe se humbja e tij ishte shumë e vështirë për të, dy motrat dhe nënën. Marrëdhënia e ngushtë e aq speciale i bëri të ndaheshin jo vetëm nga babai, por nga një shok, mentor, këshillues dhe mbështetja e tyre më e madhe.
“Ndarja nga jeta e babait tim ka qenë momenti më i vështirë në jetën time. Ndodhi shumë shpejt, askush nuk e priste pasi ai ishte shume i shëndetshëm, aktiv me energji te paparë. Kuptova çfarë kanë dashur njerëzit të thonë kur kanë treguar se nga dhembja ju është shembur tavani mbi kokë, ishte vërtetë ashtu. Ai ishte i veçantë, luante me ne, ishte shok, ishte baba, flisnim me të. Kujtoj gjithmonë puthjen e mëngjesit. Ishte personi që merrja të parin në telefon nëse më ndodhte diçka. Këshilla e parë që doja të dëgjoja ishte prej tij sepse asnjëherë nuk më bënte të ndihesha e detyruar të bëja diçka se ai e mendonte ashtu, me jepte mundësinë të zgjidhja vetë“.
Më pas teksa tregonte kujtimet e bukura në familje dhe me babain e saj, Ori i dha një mesazh të fortë nënës së saj:
“Ne jemi rritur me shumë dashuri si meritë e të dy prindërve dhe dua të tregohem e drejtë me nënën time. Ngaqë babi mungon dhe unë flas gjithmonë për të, nuk dua të heq diçka nga kontributi i saj, pa nënat nuk ka familje. Të dua shumë mam! Ashtu siç më thua çdo herë pas daljeve të mia në ekran që je krenare për mua, dua të të them që jam unë shumë krenare që të kam ty njeriun më të rëndësishëm të jetës sime. Jam e lumtur që jam rritur nga dy prindër të mrekullueshëm dhe faleminderit për mbështetjen, edukimin dhe dashurinë që na keni dhënë“.
Sakaq, asaj i erdhi një mesazh shumë i bukur nga Flori Gjini, me të cilin prej tre sezonesh bashkëprezantojnë programin “Pushime on Top”. Ky mesazh i pëlqeu shumë moderatores duke treguar edhe një herë që ky sezon i afroi edhe më tepër me njëri tjetrin.