Kush e ”detyroi” Taynën të shkojë te ”Shiko kush Luan?”
Sado të interesuar të ishit për Jonida Maliqin, Armina Mevlanin apo Stinen, pa dyshim që ishit goxha më të interesuar për Taynën, kryesisht sepse nuk del shpesh nëpër emisione dhe aq më pak në emisionet shqiptare. E vendosëm që Tayna ishte tërheqja kryesore e djeshme në “Shiko kush Luan”. Luana ishte e vetëdijshme për këtë fakt prandaj i dha reperes qoshen që do të thotë i dha shumicën e sfidave dhe ndër to, sfidat më interesante.
Diçka nuk shkonte. Ndoshta Tayna ishte e lodhur, ndoshta kishte pasur një koncert para ose pas,ndoshta ka qenë në ankth, ndoshta s’kishte lexuar librin e saj të preferuar frymëzues, ndoshta ishte sëmurë ose ndoshta është thjesht lloji i njeriut që s’ka terezi për kështu gjërash. Çfarë gjërash? Të gjitha gjërat. S’ishim të vetmit që e vumë re se dinamika mes Taynës dhe Luanës ishte të paktën e sikletshme. Komentuesit mendojnë se është faji i formulës, që e quajtën fëminore dhe pornografike. Sidoqofotë, ky argument nuk ka ku të qëndrojë sepse janë të njëjtat lojëra që janë bërë dhe me personazhe të tjerë dhe kanë funksionuar.
Gjithë fajin e ka energjia. Taynës mezi i lëvizte mimika. Gjithë shakatë e Luanës pasoheshin vetëm nga një e qeshur. E vetja. Kur Luana i bënte një pyetje me spec ose që kërkonte patjetër një reagim, Tayna as denjonte të puliste qerpikët. Sikur me vete po bluante, “Ku dhe pse jam këtu?” Dhe për të kompensuar heshtjet e pavenda apo mungesën e reagimeve, regjia thjesht priste planet çdo sekondë duke i shkaktuar audiencës dhimbje sysh.
Nëse e ndiqni në Instagram, e dini që Tayna është natyrë karizmatike. Se ç’pati në “Shiko kush luan” s’besojmë ta marrim vesh ndonjëherë. S’ka gjë. Do ta harrojmë me shpejtësinë që Tayna gjuajti foton e Onatit kur e pyetën me kë s’do të bashkëpunonte kurrë.
Marrë nga Anabel.al