Kush kryeson listën? Futbollistët e kombëtares, me mijëra ndjekës në Instagram
Rrjetet sociale/Kush ka më shumë fansa në Instagram dhe çfarë postojnë futbollistët e kombëtares së futbollit
Nga: Redjon Shtylla
Rrjetet sociale dhe futbolli, janë dy fusha të ndryshme, por edhe shumë të afërta, pasi futbollistët arrijnë të përfitojë nga popullariteti që kanë rrjetet sociale, kryesisht Instagrami, sipas edhe një studimi të fundit. Edhe kuqezinjtë tanë kanë faqe që ata vetë i menaxhojnë në Instagram dhe numërojnë mijëra ndjekës. Një postim i tyre në këtë rrjet social, bëhen menjëherë lajm në portale. Por kush janë futbollistët e kombëtares, me më shumë ndjekës në Instagram? Pas një kërkimi në Instagram, zbulojmë se në “top” listën më të ndjekurve, kryeson Taulant Xhaka me më shumë se 303 mijë ndjekës e që pas tij vjen Lorik Cana me 277 mijë ndjekës dhe në vend të tretë Shkëlzen Gashi, me 231mijë ndjekës.
Vendi i Parë
Taulant Xhaka-303 mijë ndjekës
E nuk kishte si të ishte ndryshe, Xhaka kryeson listën e futbollistëve më të ndjekur në Instagram. Me më shumë se 303 mijë ndjekës, që e bën atë Xhakën futbollistin më të pëlqyer edhe me më shumë adhurues. Mes postimeve të shumta, ajo që bie në sy tek Xhaka, janë fotot me familjen, duke treguar lidhjen e fortë që ai ka me ta. Nuk mungojë edhe fotot gjatë stërvitës, por dhe ato të ndeshjeve, me kolegë të skuadrës dhe në fund jo për nga rëndësia, ato me miqtë më të ngushtë.
Vendi i dytë
Lorik Cana-277 mijë ndjekës
Profili i Canës në Instagram, është një ndërthurje mes profesionit dhe familjes por pa lënë anash dhe ndjenjën e patriotizmit. Lorik Cana, kapiteni që i dha Kombëtares shumë fitore, arritje si ekip por dhe e ngriti emrin e Shqiptarëve deri në Francë, numëron 277 mijë ndjekës. Ndër fotot më të pëlqyera, mbetet ajo me Rita Orën në Vatikan, në shenjtërimin e Shën Terezës. Por Cana, nuk harron as të postojë foto qesharake, si ajo me syze femrash, me çantë grash në treg, maskë për trajtimin e fytyrës por në krye qëndrojnë ato me motive atdhetare.
Vendi i tretë
Shkëlzen Gashi-231 mijë ndjekës
Kujdes! Shaka por… Instagrami i Gashit, nuk ka asnjë gjë më pak nga ato të yjeve të Hollivudit. Sa në jahte lukzose, hotele e avionë, Gashi vërteton edhe një herë se Amerika është një ëndërr e madhe. Përveç këtyre, në këtë profilin e tij mund të shohësh çaste nga evenimente të ndryshme, foto me kolegë të skuadrës, foto kuqezi e kështu me radhë. Por, Gashi ka vetëm 86 foto të postuara në Instagram.
Vendi i katër
Armando Sadiku- 134 mijë ndjekës
Lajmi i ditëve të fundit për Sadikun, u bë lëvizja e tij tek skuadra e Lugaros. Që pas golit që i dhuroi kombëtares në Europian, tashmë edhe si “Qytetar Nderi” i Elbasanit, Sadiku ka profilin zyrtar më të mbushur, me plot 310 foto e video të postuara. I kuruar deri në detaje për veshjen, Sadiku padyshim është një konkurrent me fashionistat. Instagrami i tij, është ideali që tregon: punën, jetën e natës, udhëtimet, shoqërinë, familjen, skuadrën kuqezi etj.
Vendi i pestë
Elseid Hysaj -127 mijë ndjekës
Elsi, siç e ka shkruar vetë në Instagram, ka një profil të mbushur me detaje. 23- vjeçari, i cili jeton mes Italisë dhe Shqipërisë, është gjithashtu një futbollist që ka mijëra fansa, ashtu siç shihet dhe në Instagram, plot 127 mijë ndjekës. Pushimet, koha me familjen, djali i vogël, shokët e skuadrës, argëtimet e tij, mbushin profilin e tij, me foto të këndshme.
Vendi i gjashtë
Mërgim Mavraj-124 mijë ndjekës
Shtatlarti numëron plot 124 mijë ndjekës në Instagram. Postime me mesazhe ndaj Shqipërisë, një ndjenjë atdhetare që Mavraj nuk e ndan dot nga postimet e tija. Pa lënë mënjanë fotot me mesazhe fetare apo foto në xhami. Momente me familjen, sigurisht që nuk mungojnë, por edhe ato gazmore me skuadrën kuqezi.
Vendi i shtatë
Ermir Lenjani-123 mijë ndjekës
Edhe pse shumica e fotove të Lenjanit janë ato të ndeshjeve të skuadrës kuqezi, ka edhe foto gjatë pushimeve por sidoqoftë janë të pakta. Një profil i cili më shumë shihet i fokusuar në aspektin profesional. Pa frikë mund të themi se Instagrami i Ermir Lenjanjit, është profesional dhe me pak foto me miqtë, familjen apo jetën e natës.
Vendi i tetë
Andi Lila-100 mijë ndjekës
Kavajasi Lila, është mes 10-të futbollistëve më të ndjekurit në rrjete sociale. Një jetë e ndarë mes Greqisë dhe Shqipërisë, Lila poston foto nga ndeshjet e kombëtares, me familjen dhe nga pushimet, që sidomos tani me djalin e vogël, janë më të bukura. Mesazhet mbi ngjarjet e rënda, sigurisht që Lila i ndan me fansat e tij në Instagram, duke shprehur ngushëllime. Edhe tek Lila, Instagrami ka funksion që të prezantojë punën e tij, lojën në fushën e gjelbër dhe stërvitjet e shumta.
Vendi i nëntë
Bekim Balaj-99,2 mijë ndjekës
Balaj edhe pse i cilësuar nga rubrikat rozë si futbollisti që ngacmon prezantueset e emisioneve sportive, në Instagram fotot me vajzat mungojnë. Pasi ato i kanë lënë vendin, fotove ku Balaj është në ndeshjet me kombëtaren, udhëtimet dhe ato foto me miqtë e ngushtë. Pjesa më e madhe e postime, janë nga pushimet dhe momente argëtuese.
Vendi i dhjetë
Etrit Berisha-87.4 mijë ndjekës
I fundit që mbyll top listën e 10-të futbollistëve më të ndjekur të kombëtares në Instagram, është Etrit Berisha. Ai, i cili ka edhe peshën më të madhe në ndeshjet e kombëtares, të mbrojë portën. Edhe pse ka 87.4 mijë ndjekës dhe 36 foto të postuara, Berisha është i rezervuar. Pak foto të kombëtares, 2-3 nga pushimet dhe pjesa e mbetur pasqyron momente gjatë ndeshjeve që ka pasur kombëtarja shqiptare e futbollit.