Letra e plotë për qeverinë, Dukagjin Lipa: E politizuat festivalin ”Sunny Hill”
Babai i artistes botërore, Dua Lipa, muzikanti Dukagjin Lipa, organizator dhe themelues i ”Sunny Hill Festival” ka publikuar një letër në Facebook të cilën ia ka adresuar Presidentes Vjosa Osmani, Kryeministrit Albin Kurti, ministrave Elbert Krasniqi dhe Hajrullah Çeku, Donika Gërvalla dhe kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama. Në letër, Lipa sqaron se festivali është politizuar dhe se ai pas një pritjeje të gjatë ka marrë vendimin që të largohet nga Prishtina për ta mbajtur atë në Tiranë. Babai i Dua Lipës shton se pret të kthehet sërish në Prishtinë.
Letra e plotë nga Dukagjin Lipa
Të dashur miq,
Kjo është letra të cilën e kam shkruar me veshtirësi të madhe e me shumë zemër të rëndë por dërgesa e së njejtës ka qenë e paevitueshme. Pas pritjeve, tentimeve, lutjeve e kërkesave, pas votimeve unanime dhe atyre të plotfuqishme prap e gjetem veten peng i politikbërjës në kurriz të festivalit dhe të rinjëve të Kosovës. Vendimi ishte i vështire por i domosdoshëm. Presim ditë më të mira e rikthim sa më të shpejtë në Prishtinë.
E nderuara Presidente e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani Sadriu,
I nderuari Kryeministër i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti,
Të nderuar ministra Krasniqi dhe Çeku,
E nderuara ministre Gërvalla-Schëarz,
I nderuari Kryetar i Prishtinës, zt. Përparim Rama,
Me anë të këtij njoftimi, me keqardhje dhe dëshpërim të madh, ju lajmërojmë se për shkak të vonesave të shumta të shkaktuara nga mungesa e përgjigjes dhe vendimit përfundimtar për dhënien në shfrytëzim të hapësirës për festivalin, nga ana e MAPL, edicioni i këtij viti i festivalit Sunny Hill nuk do të mund të mbahet në Prishtinë.
Edhe pse jemi duke hyrë në vitin e tretë të pritjes për përgjigje përfundimtare dhe finalizim të procesit për përcaktimin dhe dhënien e një hapësirë në shfrytëzim për masovizim të platformës së festivalit, për të krijuar një ekosistem të gjerë përfitues për interesat strategjike të shtetit tonë në mbarë botën, gjithë kjo kohë ka qenë e pamjaftueshme për institucionet relevante për marrjen e një vendimi përfundimtar, i cili do t’ia lejonte festivalit Sunny Hill përgatitjet e domosdoshme për mbajtjen e një edicioni dinjitoz në Prishtinë.
Në vend të përkrahjes, kërkesa e festivalit është politizuar, janë tejkaluar të gjitha afatet ligjore dhe kompentencat e MAPL mbi Komunën e Prishtinës, është injoruar vendimi i shumicës së Kuvendit Komunal, është ushtruar ndikim i paralajmëruar direkt mbi MAPL nga ana e asamblistëve të opozitës komunale, dhe për pasojë ne edhe sot, pas gjithë kësaj kohe, nuk e kemi një vendim final i cili do të na mundësonte mbajtjen e festivalit në Prishtinë.
Sa për sqarim, kërkesa identike, në fund të mandatit të kaluar komunal ishte votuar PRO unanimisht nga të gjithë asamblistët pa dallim partiak, por tani është rikthyer për plotësim, meqë ish-Kryetari Ahmeti nuk e kishte përgatitur dokumentacionin në formën e duhur.
Tani, kërkesa e njëjtë, edhe pse tërësisht e plotësuar sipas ligjit dhe konform kritereve të MAPL, u shndërrua në betejë politike mes partive në Kuvend Komunal, në kurriz të festivalit dhe dobisë që i njëjti e krijon për imazhin e shtetit dhe vlerave që ne si shoqëri i përfaqësojmë, përfshi edhe efektin direkt dhe zingjiror që festivali e krijon për ekonominë e kryeqytetit por edhe jehonën pozitive në mbarë botën, e cila në këtë periudhë është esenciale për vendin tonë.
Nevoja për fitore të vogla politike nga ana e asamblistëve komunal, fatkeqësisht mbeti mbi interesin e shtetit dhe mundësinë për rritjen e një platforme të rëndësishme të diplomacisë kulturore dhe turizmit kulturor.
Në letrën dërguar tek MAPL, Sunny Hill Festival ka treguar se nuk ka nevojë për pronë publike për 99 vjet. Ne nuk kemi nevojë për tokën e shtetit, por Prishtina ka nevojë për hapësirë e cila i plotëson kushtet e kërkuara nga performues të rangut botëror dhe Festivali ka nevojë për shtëpi të përhershme në qytetin e tij.
Meqë Prishtina nuk e ka një hapësire të tillë, ne kemi shprehur gatishmërinë që hapësirën e ndarë nga Komuna e Prishtinës, (tokë djerrinë dhe e pa përdorshme sot) të kthejmë në një PARK PUBLIK, të qasshëm për të gjithë qytetarët, para dhe pas përdorimit për nevojat e festivalit dhe nën mbikëqyrjen e organizatës Sunny Hill.
Sunny Hill sjell disa prej emrave më të mëdhenj të muzikës botërore në Prishtinë, krijon publicitet masiv për vendin tonë në tërë botën (vlera e publicitetit ndërkombëtar të krijuar vetëm nga edicioni i fundit është llogaritur në vlerën prej 23 milionë eurove si dobi direkte për imazhin e shtetit), ka sjell deri në 10 (dhjetë) milionë euro për ekonominë e kryeqytetit, si dhe promovon vlerat më të mira të kulturës, muzikës dhe rinisë tonë nëpër botë. Për më shumë, me dhjetëra mijëra njerëz ose mbi 50 për qind të pjesëmarrësve në Sunny Hill Festival në çdo edicion kanë ardhur nga jashtë Kosovës, nga më shumë se 40 vende të ndryshme të botës.
Në çdo edicion të Sunny Hill Festival, të rinjtë tanë bashkë me moshatarët e tyre nga vende të ndryshme të botës vijnë në Prishtinë për të parë artistët e tyre të preferuar duke performuar në skenën më të madhe të muzikës në vendin tonë.
Efekti social, kulturor dhe ekonomik i festivalit është i pamohueshëm. Aq më shumë kur dihet madhësia e diasporës tonë nëpër botë dhe nevoja që ne si shtet dhe shoqëri kemi t’i krijojmë rinisë tonë jashtë vendit arsye shtesë për ta vizituar vendlindjen e tyre në baza të rregullta vjetore.
Ne kujdesemi që në çdo edicion, Sunny Hill të bëhet lajm pozitiv në mediat më relevante të botës (përfshirë shumë shtete të cilat ende nuk e kanë njohur shtetësinë e saj), dhe që nga edicioni i tij i parë festivali ynë është bërë sinonim i përpjekjeve perëndimore të Kosovës dhe demografisë së saj të re, si vlerë shumë domethënëse me të cilën përfaqësohemi ndërkombëtarisht.
Me Sunny Hill Festival, në Prishtinë krijohet një moment i ri kulturor, ku shteti më i ri në Evropë sjell emrat më të njohur të muzikës së kohës sonë, në kryeqytetin më të izoluar në Evropë.
Prishtina ishte nikoqire e disa prej emrave më të mëdhenj botëror të muzikës, duke përfshirë Miley Cyrus, Dua Lipa, Calvin Harris, Martin Garrix, Action Bronson, dhe dhjetëra artistë të huaj e vendorë të cilët bëhen bashkë, krijojnë sinergji dhe e bëjnë të mundur që Kosova të bëhet trend ditor global në dhjetëra shtete të ndryshme të botës.
Shteti ynë, Prishtina si kryeqytet dhe rinia e Kosovës, deri më tani janë shfaqur mbi 500 milionë herë gjithsejt në kanale digjitale, tek audiencat ndërkombëtare përmes Sunny Hill. Vetëm në edicionin e kaluar, janë publikuar mbi 557 artikuj pozitiv në mediat ndërkombëtare, përfshi edhe televizionet e ndryshme nacionale amerikane, të cilat shikohen nga qindra miliona njerëz në ditë në gjithë botën.
Në anën tjetër, në aspektin ekonomik bizneset e vogla dhe të mesme vendore prezantohen para një audience masive e cila ka kërkesë të jashtëzakonshme për konsumin e produkteve të tyre, dhe eksperiencë të re të konsumit vendor. Hotelet dhe bujtinat private plotësojnë 100 për qind të kapacitetit të tyre të dhomave dhe shërbimeve tjera të ofruara ndaj mysafirëve të cilët vijnë në Prishtinë dhe qytetet tjera përreth.
Meqenëse muzika i kapërcen krejt kufijtë, ne synojmë që vazhdimisht të ftojmë muzicientë dhe interpretues të njohur botërorë në Prishtinë, për të përmirësuar shkëmbimet dhe rrjetet ndërkulturore me artistët lokal. Aktivitetet kulturore të Kosovës rriten me festivalin, pasi artistët vendas shkëmbejnë kontakte me muzikantë e producentë të famshëm botëror, dhe krijojnë mundësi të reja bashkëpunimi dhe depërtimi në skenat e mëdha të muzikës botërore.
Angazhimi i grupeve të pakicave si dhe i njerëzve me prejardhje të ndryshme sociale dhe kulturore do të ndihmojë në krijimin e një mjedisi të larmishëm dhe gjithëpërfshirës. Në Sunny Hill Festival promovohen vlerat demokratike, duke qenë se vetë karakteri i festivalit po forcon demokratizimin e vendit përmes fuqisë së muzikës, kulturës dhe artit.
Misioni ynë është të evoluojmë më tej festivalin tonë, ta masivizojmë atë, në mënyrë që të bëhet simboli më i mirë përfaqësues i rinisë dhe kulturës së Kosovës, duke ri-modeluar imazhin e vendit tonë dhe vlerave që ne përfaqësojmë si shoqëri, dhe duke e bërë Prishtinën dhe Kosovën një ndër destinacionet kryesore në Evropë për muzikën moderne.
Qëllimi ynë është që të krijojmë një efekt pozitiv në shoqëri, duke shtuar vlerë të shumëfishtë përmes numrit të madh të vizitorëve, të rrisim të ardhurat në ekonominë e vendit si dhe aktivitetet turistike, nga të cilat shteti ynë, shoqëria jonë dhe bizneset vendase përfitojnë drejtpërdrejt.
Si platformë e madhe, e me ngritje të jashtëzakonshme, ne besojmë fuqishëm se misioni ynë është në përputhje të plotë me objektivat e institucioneve që ju drejtoni, prandaj kërkojmë mbështetjen e të gjitha institucioneve relevante të Republikës së Kosovës për finalizimin sa më të shpejtë të procesit të dhënies së hapësirës në shfrytëzim, në mënyrë që Sunny Hill Festival 2023 në vitin e ardhshëm të vazhdojë të mbahet edhe në Prishtinë, qytet të cilit edhe i takon.
Si ngjarje e veçantë, Sunny Hill Festival i sjell Kosovës më tepër vëmendje, publicitet masiv dhe vlerë të matshme pozitive nga të gjitha anët e botës se sa çdo projekt tjetër privat apo shtetëror që ndodh në Kosovë. Në këtë mes, nuk po llogaris aspak angazhimet e mia dhe të familjes sime për promovimin e shtetit, udhëheqësve të shtetit dhe rinisë dhe vlerave që i kemi.
Mbesim me shpresë që përgjigja jonë merr vëmendjen tuaj, në mënyrë që kredibiliteti i Festivalit dhe kredibiliteti im personal dhe i familjes sime të mos mbes në duart e asamblistëve që për betejat e tyre politike na vendosin në situata të këtilla jashtë çdo logjike te shëndoshë, dhe na sjellin deri tek humbja e mundësisë më të mirë të promovimit, diplomacisë dhe turizmit kulturor që e ka dhe mund ta kishte Kosova për një kohë shumë të gjatë.
Me nderime
Dukagjin Lipa
themelues dhe organizator i Sunny Hill Festival