Llumi shqiptar mbi Ronelën dhe brekët (VIDEO)

Nga: Redjon Shtylla

Historia po përsëritet, por tani me anën tjetër të medaljes. Po kthehem pas në kohë, kur Rona Nishliu fitoi në Festivalin e Këngës dhe përfaqësoi Shqipërinë në Eurovisionin e vitit 2012. Komentet vërshuan lum kundër saj dhe këngës. Kritika për dukjen e artistes, për këngën që e cilësuan vajtim të frikshëm, por kur u ngjit në skenën e Eurosong-ut në Azerbajxhan, krejt papritur populli shqiptar u dashurua. Rona mban ende renditjen më të mirë të Shqipërisë, vendi i 5 në finale.

Historia përsëritet me Ronelën. Po nëse do të ishte pjesë e finales, si do ta cilësonim? Kur fitoi në Festivalin në RTSH-së në dhjetor të 2021, kritika nuk u pa kërkund. Dhe sot kur ”Sekret” ka ”pushtuar” rrjetet sociale, me miliona shikime në Youtube dhe performanca në natën e parë të Eurovision-it po shkon 2 milion për 48 orë, një rekord ky për Shqipërinë, lumi me kritika, sharje dhe reagimet aspak të vlefshme janë drejtuar drejt artistes.

Ronela prej vitesh ka krijuar muzikë pop. Të mos marrim performancat e artistëve pop në kompeticionet e huaja, se për shqiptarët e ndershëm do të shihen si ”pornografi”, kur ato dalin me ”brekë”. Me qindra videoklipe ka artistja në këto ujëra që pamë në Eurosong, por për ata që po lëshojnë helm, ato klipe janë art. ”Brekët” e shqiptarëve që u shqetësuan, i shohim përditë. Në institucionet shtetërore, në zyra e në shkolla.

Ekstravagancë, provokim? Arti është në dimensione të ndryshme. Shqipëria dhe baladat ndërvite në Eurovision, sot askush nuk i mban mend. Pse po prekemi për Ronelën?

Çfarë duan shqiptarët të shohin në Eurovision, që të jenë të qetë? Shtetet pjesëmarrëse e shijojnë këtë garë, por çdo përfaqësues i vendit tonë kur është atje, merr përsipër një barrë të rëndë, një peshë të panevojshme. Eurovision është politikë dhe sukses. Për të parën e ka në dorë shteti, në të dytën artisti. Dhe këtu Ronela Hajati, po shkakton ”stuhi”. Është kthyer në artisten më të komentuar të këtij edicioni, dhe kjo përkthehet në koncerte nëpër Europë. Bashkëpunime me artistë të huaj, promovim i emrit Shqipëri.

Po lumi me komente negative, çfarë sjell, çfarë rregullon? Kemi 19 vite që e dredhim pllakën si të duam. ”Gjithologët” që nëpër studio televizive flasin për politikë, për seksin, për muzikë dhe probleme sociale, të qetësohen se asgjë nuk ndodh me Shqipërinë. Ah dhe veshja. Në tapetin e kuq u shfaq e mbuluar nga koka te këmbët, sërish komente negative. Eurovision është një biznes që vlen vetëm për artistët dhe një marketing që këtë vit e fitoi Ronela. Veshja e Ronelës në skenën e Eurovisionit është e njëjta me artistet në ”Grammy Awards”, në ”American Music Award”, etj.

Ajo ka nisur me koncerte në Itali. Turmat e duan atë, brohorasin edhe si të ”çmendur” dhe këngën ”Sekret” që është në tre gjuhë. Eurovisionin e saj Ronela e fitoi, me apo pa pjesëmarrjen  në finale, se asgjë nuk do të ndryshonte. Shqipëria sërish nga fundi i renditjes do të ishte. Por llumi që po lëshohet ndaj saj, është biznesi që median po e përdorin për klikime.

Këtë ”revoltë” ta tregojmë ndaj politikës dhe qeverisë, se ata po që kanë në dorë përmirësimin e vendit. Ronela e siguroi një sezon veror bombë nëpër Europë. Ne na ngelin ”brekët”, Ronela suksesin.

SHKARKO APP