Luana deshi t’ua qepë gojën të gjithëve për ‘veza është kafshë’, po bëri super-gafën
Veza-pulën, apo pula-vezën? Na ka keqinformuar Luana ne, apo e kemi keqinformuar ne Luanën? Dikush të ngrihet e t’i sqarojë të gjithë shqiptarët se shpendët hyjnë në mbretërinë e kafshëve, sepse sapo i prishi Luana Vjollcës atë që mund të kishte qenë fjalimi më i jashtëzakonshëm i të gjitha kohërave.
“Më suleni mua se i thashë pulës “kafshë”? Po gratë u thonë burrave “kafshë” çdo natë, pse nuk merreni me ato por merreni me mua?”, u shpreh ajo sot në fillim të “Shiko kush luan”.
Shumë e bindur për atë që ishte gati të bënte, Luana Vjollca e hapi sonte spektaklin “Shiko kush luan”, duke mbajtur një monolog për t’u treguar njerëzve se atë do ta quajnë të pazgjuar vetëm për një batutë që u bë në kuadër të humorit tek emisioni i mëparshëm, “Pa limit”, ku gjatë lojës shtet-qytet shkroi “Veza” tek kategoria e kafshëve. Videoja u bë virale, pasi Luana thoshte se meqë pula është kafshë, edhe veza është e tillë.
Fillimisht, njerëzit nisën ta gjykonin Luanën sepse fakti që e kishte quajtur pulën “kafshë” ishte një gabim trashanik, kur në fakt, shpendët janë nënkategori e mbretërisë së kafshëve, sikurse janë gjitarët, pra ne.
“Një pyetje kam për të gjithë: vërtet mendoni që nuk e di kaq gjë? Mendoni që jam kaq bjonde, kaq rëndë, ë? Si s’e dikam unë çfarë është pula? E di shumë mirë, pula është…”, dhe pastaj filloi të bënte sikur s’po i kujtohej dhe pasi e lexoi, tha: “Pula është shpend pra, shpend! Se e harrova sërish!”, u shpreh Luana.
Dukej se ishte përgatitur gjatë për këtë fjalim, sepse e nisi siç do ta niste një komedian i zoti:
“Nuk di pse njerëzit mendojnë që unë nuk bëj shaka”. Më tej, vijoi duke thënë se pasi shakatë e saj i marrin si të vërteta, do ta marrin seriozisht çdo shaka tjetër që do të thotë pas saj, duke e paragjykuar ashpër.
“Në kontekstin e skenarit më duhet të them edhe se 2+2 bëjnë 5. Por të gjithë do të thonë: “Ua, kjo s’di sa bëjnë 2+2.”
Për të treguar se mund të jetë një peshkope e vërtetë nëse dëshiron, tha të gjithë teoremën e Pitagorës nga fillimi në fund me shpejtësi, por shtoi:
“Edhe pse e thashë përmendësh, ju prapë do thoni: “Po po, ti s’di sa bëjnë 2 + 2!”
“Është edhe një shprehje e Oscar Wilde-it që thotë: “Kritiku duhet të edukojë publikun, artisti duhet të edukojë njerëzit.” Por ju prapë do të vazhdoni: “E mirë e mirë, por ti s’di sa bëjnë 2 + 2.”. E kuptoni se çfarë ndodh? Unë nuk mund të bëj humor, nuk mund të bëj shaka në emisionin tim.”
Edhe mbyllja ishte menduar me kujdes, duke ironizuar me çështjen e shakasë dhe mbi të gjitha me portalet apo profilet në Instagram që shpërndanë masivisht videon e “Pa Limit”, ku luante lojën “Shtet, qytet”.
“Që këtë pjesën që sapo bëra unë të mos e prisni, të mos e bëni virale siç doni, po ua them shkurt e shqip: ishte një shaka. Faleminderit shumë!”