Luiz Ejlli, “mbreti” që rikthehet të rimarrë zotërimet
Nga Albert Vataj
Ka figura që hyjnë në një format televiziv si lojtarë, dhe ka të tjera që e pushtojnë atë si territore. Luiz Ejlli i përket kësaj kategorie të rrallë, ai nuk rikthehet në Big Brother VIP Albania për të kërkuar fronin, sepse fronin nuk e ka humbur kurrë, kurrë ai nuk abdikoi. Ai rikthehet për të rimarrë zotërimet, hapësirën simbolike të vëmendjes, autoritetin narrativ dhe lidhjen organike me publikun, që përkohësisht kishin mbetur pa zot.
Në mitologjinë e pushtetit, mbreti nuk ka nevojë të shpallë sovranitetin e tij, mjafton prania. Pikërisht kështu funksionon rikthimi i Luiz Ejllit. Që në orët e para, ekuilibrat e shtëpisë zhvendosen, ritmet ndryshojnë dhe tensionet dalin nga përgjumia. Jo sepse ai provokon, por sepse çdo prani e fuqishme e zhvendos automatikisht gravitetin rreth vetes. Banorët nuk reagojnë ndaj veprimeve të tij, por ndaj faktit se ai është aty.
Luiz Ejlli nuk hyn si konkurrent, sepse mbretërit nuk konkurrojnë; ata sundojnë përmes legjitimitetit. Ky legjitimitet nuk buron nga një rol i dhënë nga produksioni, por nga një marrëdhënie e konsoliduar me publikun, e ndërtuar mbi autenticitet, dobësi të pranuara dhe një inteligjencë emocionale që nuk simulohet dot. Ai nuk ka nevojë të bëjë zhurmë për t’u dëgjuar; heshtja e tij dhe gjithkundprania në fokus peshon më shumë se strategjitë e të tjerëve.
Rikthimi i tij ekspozon menjëherë një të vërtetë të pakëndshme për pjesën tjetër të shtëpisë, territori i vëmendjes është i kufizuar. Çdo përpjekje për ta imituar, për ta provokuar apo për ta minimizuar, përfundon duke e fuqizuar më tej figurën e tij. Në këtë lojë të pashpallur pushtetesh, Luizi nuk përplaset, ai pret. Dhe ndërsa të tjerët konsumohen në luftëra të vogla për protagonizëm, ai rimerr hapësirat që i përkasin.
Por këto zotërime nuk janë thjesht minuta ekrani apo tituj lajmesh. Ato janë shumë më tepër, janë ritmi i rrëfimit, qendra emocionale e ngjarjeve dhe sensi i kuptimit që publiku kërkon në një format që rrezikon të bjerë në përsëritje. Me rikthimin e Luiz Ejllit, Big Brother VIP rimerr dimensionin e vet si eksperiment social, ku personalitetet e forta nuk maten me strategji, por me aftësinë për të qëndruar autentik nën presion.
Në këtë kuptim, “mbreti” nuk rikthehet për të ndëshkuar apo për të dominuar me forcë. Ai rikthehet për të rivendosur rendin e munguar. Prania e tij detyron të tjerët të dalin nga komoditeti, të ekspozohen dhe të tregojnë nëse kanë vërtet substancë apo vetëm kalkulim. Për disa, kjo është një mundësi; për të tjerë, një humbje e pashmangshme.
Historia na mëson se mbretërit e vërtetë nuk bien nga froni kur largohen fizikisht, por vetëm kur humbin besimin e popullit. Luiz Ejlli nuk e ka humbur kurrë këtë besim. Ai ka qenë gjithmonë pjesë e kujtesës kolektive të këtij formati, një referencë e vazhdueshme për atë se çfarë do të thotë të fitosh pa u shndërruar në produkt artificial.
Prandaj rikthimi i tij nuk është akt nostalgjie, por akt rivendosjeje. Luiz Ejlli nuk hyn në shtëpinë e Big Brother VIP Albania për të ndryshuar lojën. Ai hyn për të dëshmuar se disa figura nuk janë pjesë e lojës, ato janë territori që loja përpiqet të sundojë. Dhe kur “mbreti” kthehet, zotërimet nuk kërkohen; ato njihen.
KOHA JONË SONDAZH

