Markle padit median. Princi Harry: Historia përsëritet, njësoj si me mamanë time
Familja mbretërore britanike kundër mediave. Princi Harry dhe dukesha e Sussex, përfunduan vizitën e tyre jashtë vendit, ndërsa tani do të përgatiten për betejën ligjore ndaj “Mail on Sunday”.
Tabloidi publikoi letrën sekrete të shkruar me dorë nga Meghan për babain e saj, në të cilën i kërkonte që të mos zbulonte detaje të jetës private për mediat dhe i ofronte ndihmë financiare. Media britanike qëndron pas artikullit dhe thotë se do të mbrohet fuqishëm në Gjykatë. Por, Princi Harry në një letër të gjatë shprehet se Meghan është shndërruar në viktimë të një fushate mizore të tabloidëve britanike dhe shpjegon se është një dëshmitar i heshtur i vuajtjes së bashkëshortes.
Në letër, ai përmend edhe historinë e së ëmës, princeshë Dianës, që humbi jetën në aksident me makinë në 1997 pasi ndiqej nga paparacët në Paris.
“Frika ime më e madhe është që historia të përsëritet. Kam parë çfarë ndodh kur dikush që dua përdoret nga mediat deri në një pikë ku nuk shikohet më si një person. Humba mamanë dhe tani po shikoj bashkëshorten time, teksa bie viktimë e tyre”, deklaroi Princ Harry.
Familja mbretërore britanike e akuzon tabloidin për “përdorim të papërshtatshëm të informacioneve private në shkelje të së drejtës së autorit” dhe për “bulizëm”. Ndërsa Princi Harry thotë se kjo media përdori qëllimisht paragrafe dhe fjali të caktuara për të dëmtuar figurën e Meghan. Nga ana tjetër, “Daily Sunday” hedh poshtë akuzat dhe pretendon se letra është publikuar pa asnjë ndryshim.