Meghan Markle merr valixhet dhe largohet nga Britania pas zhurmës së madhe
Dukesha e Sussex-it Meghan Markle është larguar në Kanada dje, duke e lënë Princin Harry të merret me pasojat e vendimit për të hequr dorë nga detyrat mbretërore.
Daily Mail ka mësuar se Meghan është kthyer në Amerikën e Veriut, ku ndodhet djali i tyre tetë muajsh, Archie, me dadon e tij.
Burimet thanë që ajo “nuk kishte planifikuar” të qëndronte në Mbretërinë e Bashkuar për një kohë të gjatë, pasi mbërriti të hënën dhe qëndroi vetëm tre ditë në Britani.
Mbretëresha mbrëmë urdhëroi familjen e saj të gjejë një zgjidhje që do t’i lejojë nipit dhe gruas së tij të lënë detyrat mbretërore.
Burime brenda Pallatit Mbretëror thonë se Harry, 35 vjeç dhe Meghan, 38 vjeç, do të lejohen të mbajnë titujt e tyre mbretërorë dhe gjithashtu të shijojnë pavarësinë që kanë kërkuar.
Por ata shtuan se vargu i kërkesave të çiftit ka nxitur një krizë të mirëfilltë e cila nuk do të jetë e lehtë për tu zgjidhur.
Një shenjë që tregon se sa serioze dhe e ndjeshme është bërë çështja, është kërkesa që i është bërë Sekretares së Brendshme Priti Patel për të marrë pjesë në negociata.
Ajo duhet të monitorojë koston e taksapaguesve nëse ata ndajnë jetën e tyre midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Amerikës së Veriut.